Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar kundër draftit të propozuar nga Partia Socialiste mbi ndryshimin e rregullores së Kuvendit.
Në një postim në rrjetet sociale, deputeti demokrat i konsideron ndryshimet e propozuara si të njëanshme dhe të pakonsultuara.
Nëse një palë dikton rregullat e bashkëjetesës në mënyrë të njënashme, atëherë kjo është dhunë e shumicës ndaj pakicës brenda Kuvendit! Bashkëjetesa brenda institucioneve demokratike pamundësohet dhe opozitës i diktohet me forcën e kartonit edhe nëse duhet të flasë apo jo, sa duhet të flasë dhe çfarë duhet të thotë.
Duke dënuar me forcë provokimin e ulët të Grupit Parlamentar të PS përmes propozimit të ri të njëanshëm për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, i rikujtoj se po nxit përmes veprimeve të njënashme, defunksionalizimin e Kuvendit dhe po i pamundëson opozitës përmbushjen e vullnetit të saj për të ushtruar rolin e vet në një shoqëri demokratike.
Rikujtoj po ashtu, që në vitin 2012 ndryshimi vetëm me KONSENSUS i Rregullores së Kuvendit ishte kusht i Komisionit Europian që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në BE. Po sot? Sot është kthyer në një leckë me të cilën mazhoranca e korruptuar e Edi Ramës provokon çdo muaj opozitën, edhe kur kësaj të fundit i jep të drejtë njëzëri Gjykata Kushtetuese. Pa asnjë grimcë ndjese, pa asnjë grimcë reflektimi.”, shkruan Bardhi.
Ky reagim vjen pasi ditën e djeshme, Partia Socialiste doli me një draft, në lidhje me rregulloren e re të Kuvendit të Shqipërisë.
Drafti parashikon që të ketë ndryshime në rregulloren aktuale të parlamentit. PS kërkon që numri i Komisioneve të shkojë në 11, nga 8 që është aktualisht. Gjithashtu, kërkohet që në seancë plenare, deputetët të mos flasin më shumë se 5 minuta, nga 10 minuta që është aktualisht koha e lejuar. Drafti i është drejtuar kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi dhe duhet të marrë votat e duhura në parlament, për t’u miratuar.











