Gazetarja e BIRN Lindita Çela, e cila bëri shkrimin lidhur me aferën e CEZ nga ku lindën edhe akuzat ndaj kreut të Kuvendit Ilir Meta, u kthye në objekt debati dje në sallën e Kuvendit.
Ishte lideri i LSI-së i cili teksa e cilësoi sulmin ndaj tij si një akt mafioz të mirëorganizuar mediat, politik dhe financiar, tha se gazetarja në fjalë pas shkrimit kishte rritur ndjeshëm mënyrën e jetesës së saj.
Pikërisht për këtë deklaratë ka reaguar gazetarja Çela e cila përmes një postimi në Facebook ka ironizuar kryeparlamentarin Meta. Në postimin e saj ajo shkruan për festa e gosti, ku në tavolinë nuk mungon asgjë, pikërisht për t’i kujtuar Metës ditëlindjet e festuara prej tij çdo vit të cilat pushtojnë faqet e para të gazetave.
“Mua më pëlqen ta pi shampanjën dhe kur jam me miq e prish dietën. Rosto me kumbulla, mishi i gicit i pjekur në furrë me vaj ulliri dhe i shuar me verë, është darka ime. Në dhomën e pritjes, kam një oxhak me dru dhe aty piqet pastërma pa fund dhe pihet raki. Në menu e dimrit, nuk mungon supa e kungullit, sallata, mishi që e bëj rosto, jo vetëm me zarzavate në furrë por edhe me kumbulla e fara pishe. Mund të bëj gjel deti me përshesh me arra ne mes dhe nenexhik gjatë periudhës së vitit. Ndërsa për festa, ngre një tendë gjigante Të ftuarit i gostitën me antipasta, nga të gjitha llojet e djathërave. Pjata e dytë, kadaif me pana dhe karkaleca deti. Sigurisht që nuk mungon vera e llojit Deschants e një puro kubaneze të llojit “Cooiba”. Pas gjithe kesaj, ulem e bej nje shkrim…..” shkruan Çela