Aktualisht Biro po punon me tema që kanë të bëjnë me pastrimin e parave dhe korrupsionin në Rumani, duke zbuluar financat e politikanëve të fuqishëm, transmeton dritare.net
Tema që ka në dorë, bën fjalë për një tokë në zemër të Bukureshtit që shkoi në duart e politikanëve vendas dhe disa biznesmenëve shumë të fuqishëm në rrugë të jashtëligjshme.
Në këtë intervistë për “Arena nga Dritan Hila” në Ora News, Attila Biro, gazetari investigativ rumun, shpjegon për publikun shqiptar, çfarë ndodhi në Rumani, pse u protestua, kush protestoi dhe çfarë arritën.
Biro tregon gjithashtu si ndodhi reforma në drejtësinë e Rumanisë dhe si arritën të ndërgjegjësohen rumunët se korrupsioni nuk është thjesht një fjalë, por një vrasës./dritare.net
Dritare.net- Do të doja që me ndihmën tuaj t’i tregonim publikut shqiptar çfarë po ndodh në Rumani? Si nisi protesta?
Vitin e kaluar patëm zgjedhjet e përgjithshme dhe nga këto zgjedhje u formua qeveria me shumicën e madhe në parlament. Në fillim të këtij viti, qeveria nisi ndryshimet në Gjykatën Penale. Ministri i Drejtësisë, masën e parë ekzekutive që bëri me ndihmën e qeverisë, ishte eliminimi i disa nene nga Gjykata Penale, nene që dënonin shpërdorimin e pushtetit dhe konfliktin e interesit. Në nenin për abuzim me pushtetin ata vendosën një çmim- tavan që, nëse dëmi i pushtetarëve që abuzonin me pushtetin nuk ishte më i lartë se 50 mijë euro, atëherë ai pushtetar nuk do të dënohej. Pra, në thelb, pushtetarët ose anëtarët e qeverisë mund të lëshonin kontrata ose të vidhnin nga fondet publike, deri në 50.000 euro.
Dritare.net- Kur filloi protesta?
Protestat filluan pikërisht në mbrëmjen kur qeveria firmosi këtë urdhër emergjent. Në fakt, kjo ishte një nga gjërat që ndezi protestën, fakti që firmosja e saj nuk ishte transparente, u bë në mbrëmje në një mbledhje qeverie, fshehtas. Por ne si shtyp e zbuluam dhe ata dolën e thanë, po e vërtetë, e kemi firmosur.
Kështu, njerëzit nga të gjitha qytetet e Rumanisë dolën në rrugë për të protestuar nga ajo ditë e deri më sot. Kjo nuk është një protestë e motivuar politikisht, aty ka njerëz nga më të ndryshmit, të rinj, të vjetër, të pasur apo të varfër, të gjithë duke protestuar.
Dritare.net- Pra është populli që proteston, jo partitë e opozitës?!
Opozita protestoi në parlament dhe sigurisht, ndoshta disa prej tyre edhe kanë dalë në Sheshin Viktoria, por kjo nuk ishte një protestë e organizuar nga opozita. Është e vështirë të imagjinohet që një parti të jetë në gjendje të nxjerrë në shesh 500.000 qytetarë rumunë. Asnjë parti nuk mund ta bëjë diçka të tillë.
Dritare.net- A është kjo protestë kundër qeverisë apo kundër njerëzve të caktuar si Kryeministrit ose të Ministrit të Drejtësisë?
Ishte një protestë kundër qeverisë, edhe pse sigurisht ka disa njerëz që protestonin kundër politikanëve dhe liderit të partisë. Por në thelb është kundër qeverisë dhe për shkak të këtij urdhri emergjent.
Të gjithë kuptuan se duke u miratuar ky legjislacion, ata do të kishin dritën jeshile drejt korrupsionit.
Dritare.net- Çfarë u arrit nga kjo protestë?
Pas një jave protestash u bë një mbledhje urgjente e qeverisë e cila e anuloi firmën e parë. Pra pati një efekt.
Dritare.net- Cila është kryefjala në Rumani, drejtësia apo politika?
Në dy muajt e fundit ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe se çfarë po bën dhe po përpiqet të bëjë qeveria në lidhje me antikorrupsionin, një përpjekje për ta ndaluar atë.
Dritare.net- Si ka mundësi që populli votoi për një parti e cila drejtohej dhe ka influencën e Liviu Dragnea, tashme i akuzuar dhe nën gjykim?!
Nuk mund të flas për të gjithë votuesit, por kjo parti nuk është e gjitha e përbërë vetëm nga njerëz të këqij. Fakti që ne jemi ende një demokraci e re, mendoj se jo gjithkush e kupton se korrupsion do të thotë kur dikush të vjedh xhepin. Pra kjo është diçka që ka filluar të rritet në Rumani, duke mos e toleruar korrupsionin dhe duke e parë atë si diçka që ndikon në mirëqenie. Kjo mund të jetë një nga shpjegimet. Nga ajo çfarë po thonë aktualisht analistët, në fakt socialdemokratët patën një fushatë të mirë, opozita pati një fushatë të keqe dhe ky ishte rezultati. Por një pjesë e mirë e njerëzve që votuan për këtë parti janë ata që protestuan. Kështu që nuk do të thotë se kur të jap votën ty si udhëheqës, po të jap edhe licencën për të bërë ç’të duash.
Dritare.net- A keni ide për protestat në Shqipëri?
Vumë re se pas protestës sonë të madhe, pati një reagim zinxhir edhe në Evropë. Kështu që besoj ka pasur efektin e vet protesta jonë dhe jemi të lumtur për të këtë, për shkak se, si në Rumani ashtu edhe në të gjithë Evropën, korrupsioni do të çojë në përkeqësimin e kushteve për të gjithë ne.
Dritare.net- Në Shqipëri, ndryshe nga Rumania, proteston opozita. Me cilën periudhë në Rumani do e krahasonit këtë që po kalon Shqipëria sot?
Unë mund t’ju tregoj se si ka evoluar në Rumani. Duke u kthyer pas, në vitin 2012, qeveria bëri pak a shumë të njëjtën gjë, u përpoq të prishte legjislacionet e këqija, por nuk pati ndonjë rezultat. Ajo që ndodhi pas vitit 2012-2013, është se pati protesta të mëdha kundër një kompanie minierash e cila po përpiqej në atë kohë dhe ende po përpiqet, të realizojë një projekt të madh minierash në male. Në këtë protestë dolën 35.000 njerëz në rrugë, duke thënë “hej, kjo nuk është e drejtë, kjo nuk duhet të ndodhë në Rumani”. Pas kësaj, grupe të shoqërisë civile filluan të bëheshin bashkë dhe shtoheshin përditë.
Besoj keni dëgjuar edhe për zjarrin e madh, ku 57 njerëz humbën jetën në një klub në Bukuresht. Pas këtij incidenti, pati edhe një herë protesta të mëdha dhe qeveria dha dorëheqjen. Kështu që në vitet që pasuan ishte shoqëria civile që ngrihej sa herë shihte se diçka nuk po shkonte mirë. Dhe ne e pamë efektin e korrupsionit në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi ai zjarr që vrau aq shumë njerëz në fakt nisi për shkak se institucionet publike nuk kishin kryer punën e tyre siç duhej, ata ishin të korruptuar dhe udhëhiqeshin nga njerëz shumë të korruptuar.
Dritare.net- Si e realizoi Rumania reformën në drejtësi? Ne këtu kemi ngecur.
Kjo ka qenë me të vërtetë e vështirë, pas viteve ’90, menjëherë pas revolucionit, komunistët nuk qeverisnin më dhe Çaushesku u ekzekutua. Për shumë vite njerëz, politikanë apo biznesmenë vidhnin gjithçka dëshironin. Ka qenë një periudhë kur shihje politikanë dhe miqtë e tyre duke marrë fabrika, toka falas, pa paguar, pra vidhnin çdo gjë që dëshironin sepse kishin pushtetin politik, kishin policinë në krah etj. Frustrimi në popullsi u rrit gjithmonë e më shumë derisa në një pikë u bë e qartë edhe për politikanët që nuk mund të vazhdonin më statusin e kapjes së shtetit. Kështu, në vitet 2002-2003 krijuan një departament të veçantë që merrej me luftën kundër korrupsionit. Për një periudhë ajo ishte vetëm në letër, duke u treguar partnerëve jashtë Rumanisë apo BE-së se po merreshin me antikorrupsionin, por në fakt ajo mbetej vetëm në letër.
Pas zgjedhjeve në vitin 2004 qeveria e re u përpoq dhe vërtetë nisi punën në këtë departament me prokurorë të vërtetë. Shefi i këtij departamenti, i cili tani është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, filloi vërtetë të hetojë, së bashku me ekipin e tij, peshqit e mëdhenj. Një nga këto raste ishte edhe ajo e Adrian Nastase, ish Kryeministri i Rumanisë, që drejtoi në vitet 2000-2004. Ai u dërgua në gjyq dhe pas disa vitesh, në vitin 2012, u dënua me burgim. Ajo periudhë ishte shumë e vështirë sepse edhe pse prokurorët dërgonin çështje të ndryshme në gjykatë, gjykatësit nuk ishin të gatshëm për t’i dërguar këto politikanët dhe biznesmenët e korruptuar në burg. Gjithashtu legjislacioni në një farë mënyrë po e bënte punën më të vështirë duke i pezulluar këto çështje për vite me radhë. Në vitin 2010 ata bënë një reformë të vogël në Gjykatën Penale ku eliminuan disa prej këtyre legjislacioneve që ndalonin luftën kundër korrupsionit. Nga ajo kohë e deri më sot prokurorët dhe gjyqtarët filluan të hetojnë dhe dënojnë gjithmonë e më shumë njerëzit e korruptuar.
Pra, ka kaluar në disa faza dhe u desh shumë kohë për ta arritur këtë reformë. Madje edhe sot kemi probleme lidhur me legjislacionin, me politikanë që përpiqen të dekriminalizojnë korrupsionin, kështu që është një proces në vazhdim. Por një gjë që është e rëndësishme, është të ketë reagim masiv nga shoqëria civile dhe që ky reagim të jetë i vazhdueshëm, konstant, të ketë njerëz, zëra që thonë se politikanët e korruptuar duhet të shkojnë në gjyq, se pasuria e tyre e padrejtë duhet të konfiskohet dhe të respektohet sundimi i ligjit. Nëse nuk ka vullnet nga shoqëria, politikanët do të vazhdojnë sepse ata duan ta përdorin pushtetin dhe nuk duan të mbajë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Dritare.net- Ju jeni gazetar dhe ndërkohë që po flasim po punoni me një dosje të madhe korrupsioni për një tokë në zemër të Bukureshtit. Çfarë do i thoshit kolegëve gazetarë në Shqipëri?
Është shumë e rëndësishme që gazetarët, çdo ditë t’ju thonë qeverisë dhe politikanëve se ku po gabojnë dhe t’u kërkojnë atyre gjëra specifike, si për shembull; kërkojmë një legjislacion për pastrimin e parave, duam një legjislacion të fortë në luftën kundër korrupsionit, duam një departament antikorrupsion, duam një ministri të pavarur drejtësie. Pra, duhet të trajtoni çdo problem çdo ditë dhe të ushtroni presion mbi politikanët dhe t’i bëni ata të ndihen përgjegjës për veprimet e tyre.