Gazetari Reldar Dedaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se Belinda Ballukun e kanë shënjestruar, por, sipas tij, investimet në rrugë janë rritur.
“Belinda Balluku, të cilën opozita e ka vënë në grykë të topit për ta shënjestruar, edhe opinioni publik, në fund fare qytetarët shqiptarë të vetmet investime që kanë parë është infrastruktura rrugore. Nuk ka investime në sektorë të tjerë”, tha Dedaj.
“Të gjithë teknikalitetin e bëjnë për të rrëzuar njerëz që e kanë gjetur të gatshëm këtë sistem. Kanabizimin e Shqipërisë e bëri Tahiri apo Rama? Ky është sistemi dhe ju pretendoni se dy individë aty do i rezistojnë këtij sistemi”, shtoi gazetari.
Kalaja: SPAK dhe GJKKO kanë gabuar me masën “bllokim pasaporte“ ndaj Belinda Ballukut
Avokatja Adriana Kalaja tha në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN se SPAK dhe GJKKO kanë gabuar, duke kërkuar e më pas vendosur masën e sigurisë “ndalim të lëvizjes jashtë vendit” për zv/kryeministren Belinda Balluku.
“Unë edhe në raport me Belinda Ballukun, them në këndvështrimin tim edhe SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë gabuar me masën e ndalimit të udhëtimit jashtë vendit. Pra, nëse në masën e pezullimit në këndvështrimin tim kanë marrë një vendimmarrje të drejtë bazuar në ligj, bllokimi i pasaportës në këndvështrimin tim është antiligjor, sepse duke i bllokuar pasaportën zonjës Balluku, i ke bllokuar dhe deputetes Balluku. Pra, në rastin e bllokimit të pasaportës, unë gjykoj dhe këtë kam thënë dhe për zotin Berisha. Por çfarë ndodhi në rastin e zotit Berisha? Shumica e këtyre fërkonin barkun se nuk e dinë që drejtësia është si ajo puna e Portokalles”, tha Kalaja në “Off the Record” me Andrea Dangllin.
Sa i përket debatit mbi nxjerrjen e provave nga dosjet hetimore, Kalaja tha se beson që në institucionet e drejtësisë ka njerëz me integritetet, por në këto raste duhet të nisen hetime.
“Unë nuk besoj që ë gjyqtarë të nderuar që ka GJKKO-ja si Erjon Çela, Erjon Bani dhe shumë të tjerë janë njerëz me reputacion dhe me integritet të lartë të cilët nuk kanë gabuar njëherë në proceset e tyre dhe i kanë qëndruar drejtë. Përfshirë zotin Engert Pëllumbi, i cili ka qenë nën sulmin e përditshëm të mediave, të politikës dhe të kujtdo tjetër që ka pasur interes në këto procese. Nëse avokatët kanë indicie, kanë prova që agjentët e BKH-së, prokurori ka bërë shpërndarjen e atyre materialeve, ka dyshime, t’i çojnë në prokurori, t’i kallëzojnë. Në ILD ka inspektorë të lartë të drejtësisë që mund t’i hetojnë, mund t’i hapin procese, ka dhimbje koke. Është teoria pra që gjyqtari është në mes dhe këtej është prokurori dhe këtej është avokati mbrojtës. Në realitet nuk ndodh kjo, sidomos në Gjykatën e Posaçme. Ne shikojmë atë që i doli pa dashje edhe zotit Dumani që tha afërmendsh gjykatat vendosin çfarë kërkojmë ne dhe në 99% të kërkesave të prokurorit gjykata vendos çfarë ndodh në të kundërt asaj që bën gjykata. Në këndvështrimin tim në shkelje”, deklaroi në “Off the Record” me Andrea Dangllin.











