Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila i ka bërë bllokadë gazetës “Zëri”, e madje një gjë të tillë e ka detyruar ta bëjë edhe Përfaqësuesen e Republikës së Kosovës. AGK i konsideron absurde veprimet e krerëve të FFK-së, që bien ndesh edhe me parimet universale të së drejtës për qasje në informacion dhe informim të publikut. Andaj, AGK-ja kërkon nga FFK-ja dhe selektori Albert Bunjaku ta ndryshojnë qasjen karshi “Zërit”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i ka dalë në mbrojtje Gazetës “Zëri” dhe gazetarëve sportivë të saj, ndaj të cilëve Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) qe një kohë të gjatë ka kultivuar qasje tepër të brishtë, e madje të pashembullt në botën demokratike.
“AGK konsideron se jotransparenca dhe selektiviteti ndaj gazetarëve është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet universale të së drejtës për qasje në informacion dhe informim të publikut”, thuhet në reagimin e AGK-së.