Debatin se si mund të përmirësohet raporti media-politikë, ekspertët ndërkombëtarë e kanë kanalizuar diku tjetër: te ndryshimi i sjelljes profesionale të gazetarëve.
Rrjeti i Gazetarisë Etike me qendër në Londër, një rrjet ndërkombëtar i profesonistëve më të njohur të botës së medias, në një botim të fundit më titull “Gjuha e urrejtjes” udhëzon gazetarët drejt një testi profesional që do të pasuronte performancën e tyre.
“Ethical Journalism Network” i kujton gazetarëve se edhe ata kanë potencial për të bërë dëm, nëse nuk ndjekin parimet e profesionit dhe bëhen riprodhues të retorikës së ashpër politike, apo duke nxitur konflikt publik ndërsa pranojnë të përdoren për propagandë nga segmente të caktuara politike.
“Ndërsa shumica e gazetarëve e kuptojnë se ata kanë për detyrë të tregojnë të vërtetën, të raportojnë se kush po flet, ata shpesh nuk arrijnë ta balancojnë atë përgjegjësi kundrejt një tjetër parimi themelor të gazetarisë, që është minimizimi i dëmit.”- shkruhet në publikimin e udhëhequr nga ish sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Aidan White.
Sipas White, nuk duhet të jetë qëllimi i gazetarit që me dashje të ekspozojë ose zvogëlojë njerëzit me të cilët ai nuk pajtohet, siç janë politikanët, sepse si pjesë e procesit të raportimit, gazetarët dhe redaktorët kanë një përgjegjësi të posaçme për ta vendosur fjalën në kontekstin e saj të duhur – për të zbuluar dhe raportuar se cilat janë objektivat e folësit.
“Vetëm raportimi i kujdesshëm i ndihmon njerëzit të kuptojnë më mirë kontekstin në të cilin bëhet fjalimi i një politikani”- theksohet në publikimin e EJN, i cili ndër të tjera, bën këtë apel për reporterët që mbulojnë politikën:
Liria e fjalës është e drejtë për të gjithë, duke përfshirë politikanë dhe figura publike, dhe është puna e gazetarit të sigurojë që të gjithë kanë fjalën e tyre, por kjo nuk nënkupton dhënien e licencës për gënjeshtër, përhapjen e thashethemeve apo për të inkurajuar armiqësinë dhe dhunës kundër ndonjë grupi të veçantë. Nuk është puna e gazetarëve të miratojnë kundërvënie politike, por pretendimet dhe faktet duhet të testohen, kushdo që flet!
Ja publikimi i plotë:
Gjuha e urrejtjes
Një test me 5 pika që çdo gazetar duhet t’ja bëjë vetes
Hyrje:
Redaksia moderne është një vend sfidues. Në botën konkurruese të informacionit, media fluturon rreth një shpejtësie të rrezikshme. Ka pak kohë për të kontrolluar faktet dhe imazhet ose për të vërtetuar informacionet dhe pothuajse nuk ka hapësirë për diskutime të heshtura mbi etikën e gazetarisë. Por edhe kur koha është e pakët, gazetarët dhe redaktorët duhet të bëjnë pauzë dhe të marrin një moment për të gjykuar ndikimin e mundshëm të përmbajtjes fyese dhe inflamatore. Rreziqet e gjuhës së urrejtjes në gazetari janë të njohura dhe në shumë pjesë të botës kanë patur pasoja tragjike.
Në Afrikë, për shembull, disa gazetarë janë bërë ushtarë këmbësorë për propagandë dhe konflikt. Shumë prej tyre kanë luajtur një rol të trishtë në konfliktet rajonale dhe në disa raste ekstreme – për shembull në Ruandë dhe Kenia – kanë kontribuar në akte të dhunës së papërshkrueshme ndërmjet komuniteteve. Sa herë që mediat manipulohen nga politikanët dhe të tjerë, në mbrojtje të vendit, kulturës, fesë dhe racës, gazetarët kanë potencial për të bërë dëm.
Edhe gazetarët më të mirë nganjëherë, pa dashje, mund të dëmtojnë kur raportojnë histori kontroverse jashtë kontekstit. Dështimi i parimeve në redaksi dhe kuptimi i dobët i ndikimit të mundshëm të fjalëve dhe imazheve mund të çojë në akte të gazetarisë që nxisin urrejtjen dhe dhunën.
Ndërsa shumica e gazetarëve e kuptojnë se ata kanë për detyrë të tregojnë të vërtetën dhe të raportojnë për atë që thuhet dhe kush po e thotë, ata shpesh nuk arrijnë ta balancojnë atë përgjegjësi kundër një tjetër parimi themelor të gazetarisë, që është minimizimi i dëmit.
Por si e gjykojnë gazetarët çfarë është e pranueshme dhe çfarë është e patolerueshme? Si e futin në rutinën e punës së tyre të përditshme një mënyrë për të vlerësuar se çfarë po kërcënojnë?
Është një detyrë e ndërlikuar për të gjykuar saktësisht se çfarë përbën urrejtje. Nuk ka përkufizim ndërkombëtar të pranuar dhe nivelet e tolerancës së fjalës ndryshojnë në mënyrë dramatike nga një vend në tjetrin.
Për të gjetur një rrugë nëpër këtë fushë të minuar, gazetarët duhet të marrin në konsideratë kontekstin më të gjerë në të cilin njerëzit shprehin veten. Ata duhet të përqendrohen jo vetëm në atë që thuhet, por në atë që është menduar të thuhet nga folësit.
Testi i mëposhtëm me pesë pika për gazetarinë e kontekstit, bazohet në standardet ndërkombëtare. Ai nxjerr në pah disa pyetje që duhet të bëhen në mbledhjen, përgatitjen dhe shpërndarjen e lajmeve dhe informatave që do të ndihmojnë gazetarët dhe redaktorët të vendosin atë që thuhet dhe kush e thotë atë në një kontekst etik.
Pika e parë: Pozita ose statusi i folësit
Gazetarët shpesh akuzohen për gjuhën e urrejtjes dhe, me të vërtetë, disa komentues me dëshirë kënaqen në biseda provokative, por në shumicën dërrmuese të rasteve gazetarët dhe mediat janë fajtorë vetëm për raportimin e deklaratave të fëlliqura të të tjerëve. Këta përdorues të aftë të mediave mbështeten në to për t’i dhënë mbulim kërkesave dhe mendimeve të tyre sensacionale.
Gazetarët dhe redaktorët duhet të kuptojnë se vetëm për shkak se dikush thotë diçka të ashpër, nuk e bën atë lajm. Gazetarët duhet të shqyrtojnë kontekstin në të cilin thuhet dhe statusin e reputacionin e kujt është duke folur. Në veçanti, gazetarët duhet të shqyrtojnë folësit dhe të analizojnë fjalët e tyre, të shqyrtojnë faktet dhe pretendimet e tyre dhe të gjykojnë me kujdes qëllimin dhe ndikimin e ndërhyrjeve të tyre.
Nuk është puna e gazetarëve të miratojnë kundërvënie, por pretendimet dhe faktet duhet të testohen, kushdo që flet.
Liria e fjalës është e drejtë për të gjithë, duke përfshirë politikanë dhe figura publike, dhe është puna e gazetarit të sigurojë që të gjithë kanë fjalën e tyre, por kjo nuk nënkupton dhënien e licencës për gënjeshtër, përhapjen e thashethemeve apo për të inkurajuar armiqësinë dhe dhunës kundër ndonjë grupi të veçantë.
Pika e Dytë: Zgjatja e fjalimit
Një bisedë private në një vend publik mund të përfshijë mendimet më të papërshkrueshme, por të bëjë dëm relativisht të vogël dhe kështu nuk do të shkelë domosdoshmërisht testin e gjuhës së urrejtjes. Por kjo ndryshon nëse fjalimi shpërndahet përmes mediave kryesore ose internetit.
Gazetarët gjithashtu duhet të marrin në konsideratë frekuencën dhe shtrirjen e komunikimit – a është një shpërthim i shkurtër dhe i papërshtatshëm i sharjeve dhe urrejtjes, apo përsëritet qëllimisht dhe vazhdimisht?
Përsëritja është një tregues i dobishëm i një strategjie të qëllimshme për të nxitur armiqësi ndaj të tjerëve, qoftë në bazë të formës etnike, raciale, fetare ose të ndonjë forme tjetër diskriminimi.
Pika Tre: Objektivat e fjalimit
Normalisht, gazetarët me etikë dhe redaktorët e mirë-informuar do të jenë në gjendje të identifikojnë shpejt nëse fjalimi synon qëllimisht të sulmojë ose të pakësojë të drejtat e njeriut të individëve dhe grupeve. Ata gjithashtu duhet të dinë nëse fjalimi i tillë është subjekt i sanksioneve penale ose të tjera.
Si pjesë e procesit të raportimit, gazetarët dhe redaktorët kanë një përgjegjësi të posaçme për ta vendosur fjalën në kontekstin e saj të duhur – për të zbuluar dhe raportuar se cilat janë objektivat e folësit.
Nuk është qëllimi ynë që me dashje t’i ekspozojmë ose zvogëlojmë njerëzit me të cilët nuk pajtohemi, por raportimi i kujdesshëm, etik gjithmonë i ndihmon njerëzit të kuptojnë më mirë kontekstin në të cilin bëhet fjalimi.
Pika e katërt: Përmbajtja dhe forma e fjalës
Gazetarët duhet të gjykojnë nëse fjalimi është provokues dhe i drejtpërdrejtë, në çfarë forme është bërë dhe stili në të cilin është dorëzuar. Ekziston një botë dallimi midis dikujt që flet brenda një grupi të vogël dhe një fjalimi të bërë në një vend publik, përpara një auditori të egër.
Shumë njerëz kanë ide dhe mendime fyese. Ky nuk është një krim dhe nuk është krim për t’i bërë këto opinione publike (njerëzit e bëjnë atë në internet dhe rrjetet sociale në mënyrë rutinore), por fjalët dhe imazhet që përdorin mund të jenë shkatërruese nëse nxisin të tjerët për dhunë.
Gazetarët duhet të pyesin veten: a është ky fjalim apo shprehje e rrezikshme? A mund të çojë në ndjekje penale sipas ligjit? A do të nxisë dhunën apo do të nxisë intensifikimin e urrejtjes ndaj të tjerëve?
Pika e Pestë: Klima Ekonomike, Sociale dhe Politike
Fjala që është e rrezikshme ose e diskutueshme lind veçanërisht kur kohët janë të vështira, tensionet sociale janë akute dhe politikanët janë në luftë me njëri-tjetrin.
Gazetarët duhet të marrin parasysh atmosferën publike në kohën kur po zhvillohet fjalimi. Gazetarët duhet të gjykojnë nëse shprehja është e drejtë, e bazuar në fakte dhe e arsyeshme në rrethanat.
Një debat akademik mbi migracionin i mbajtur në kontekstin e diskutimit të hulumtimeve dhe gjetjeve të diskutueshme mund të jetë relativisht i parrezikshëm ose neutral, por i njëjti debat mund të bëhet i rrezikshëm nëse mbahet në kontekstin e kushteve lokale dhe specifike, ku njerëzit janë të pasigurtë dhe të shqetësuar për sigurinë dhe të ardhmen.
Është e rëndësishme për gazetarët që të pyesin veten: cili është ndikimi i kësaj tek njerëzit që preken menjëherë nga fjalimi? A janë në gjendje ta absorbojnë fjalimin në kushtet e sigurisë relative? A është kjo shprehje e planfikuar apo e menduar për t’i bërë gjërat më keq apo më mirë? Kush ndikohet negativisht nga ky fjalim? /lexo.al