“Gati fluturova, por s’kisha takat”. Kështu u shpreh Skënder Haklaj për emisionin “Opinion”, të cilit para 12 vitesh i lindi ideja që “K’cimin e Tropojës” ta çonte në UNESCO.
E pas kaq kohe e një numri të madh dokumentesh, kërcimi i veçantë u regjistrua në UNESCO si pasuri jomateriale e njerëzimit.
“Unike është sepse k’cimi është paravalle. Tropoja s’ka valle. Ka k’cim. Është unik, është solistik, vetjak, vetëformues dhe është shumë historik. Pse është paravalle? Shoqërohet me instrumente paramuzikorë. Merr një gur dy rrasa, bjeri, kërcejnë tropojanët. Në asnjë valle tjetër s’futen dot. Ky është një nga argumentet shkencore. Tjetra është se vallja është pjesë e jashtme e riteve, ndërsa k’cimi është pjesë e brendshme, se e shpreh ritin. Është jeta e malësorit në bjeshkë, jeta është produkt i mjedisit. Shkel shputën këtu, k’cim përpjetë për të hipur në majë të bjeshkës dhe po hipe në majë të bjeshkës shkon në qiellin e 7 siç shkoi k’cimi në UNESCO”, tha Haklaj.
Skënder Haklaj u shpall nga emisioni “Opinion” si personazh i vitit 2024 si një nga nismëtarët e dosjes që mundësoi që “K’cimi i Tropojës” të bëhet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.