Votimi për zgjedhjet e përgjithshme në Greqi ka filluar, me sondazhet që tregojnë një garë të ngushtë midis partisë së krahut të majtës SYRIZA-s dhe asaj konservatore, Demokracia e Re.
Zgjedhjet e parakohshme, të pestat në Greqi brenda 6 vjetësh dhe të tretat brenda këtij viti u thirrën pasi SYRIZA humbi shumicën parlamentare në gusht. Popullariteti i liderit të SYRIZA-s, Alexis Tsipras ra pasi ai pranoi një marrëveshje të re ndihme me liderët europianë. Shpëtimi përfshinte masa shtrënguese, ndaj të cilave SYRIZA ishte betuar t’i kundërshtonte. Greqia është zhytur në një krizë të thellë financiare dhe kush fiton zgjedhjet e sotme (20 shtator) do të duhet të mbikqyrë reformat e mëtejshme të vështira ekonomike.
Por siç duket, secila parti që do të fitojë nuk ka gjasa të marrë aq vende në parlament sa për të formuar qeverinë e vetme. Kjo mund të shkaktojë një periudhë jostabiliteti politik.