Një ditë pas vendimit të kryeministrit Rama për të larguar nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka dorëzuar dorëheqjen.
Pa vonesë, Ministria e Brendshme ia ka përcjellë atë zyrtarisht Këshillit të Ministrave.
Burime zyrtare konfirmojnë për TV Klan se miratimi është bërë këtë të hënë me vendim qarkullues dhe pritet që kryeministri ta firmosë nesër për ta bërë efektiv aktin.
Pas hyrjes në fuqi të vendimit, Ministria e Brendshme pritet të hapë menjëherë garën për Drejtorin e ri.
Ligji parashikon që kandidati duhet të plotësojë kriteret e karrierës policore, integritetit dhe sigurisë, ndërsa emërimi final bëhet sërish me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kandidatët duhet të ketë gradën “Drejtues i lartë”ose “Drejtues i parë” dhe pas emërimit merr gradën “Drejtues madhor”. Duhet të kenë vetëm nënshtetësinë shqiptare, të kenë të paktën 15 vjet përvojë në polici, nga të cilat të paktën 10 vjet në pozita të larta drejtuese në strukturat e Policisë së Shtetit, të ketë integritet dhe figurë të pastër morale; të mos ketë qenë të dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë; të mos kenë masa për shkelje të rënda disiplinore të policisë brenda 3 viteve të fundit dhe të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit qëndron në detyrë për një periudhë prej 5 vitesh me të drejtë riemërimi edhe për 5 vite të tjera.
Ilir Proda qëndroi në këtë detyrë 17 muaj. Ai u largua pas protestës së të shtunës, 28 shkurt, për shkak se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë, pasi protestuesit e opozitës arritën të hyjnë në ‘zemrën’ e qytetit, në zonën e ish-Bllokut dhe goditën me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, brenda së cilës gjendeshin disa artistë të huaj.
Deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në detyrë është komanduar zëvendësdrejtori Sokol Bizhga.











