Presidenti, Donald Trump e ka quajtur fyes komentin e homologut francez, Emmanuel Macron, se NATO ka pësuar vdekje cerebrale, pasi nuk po reagon si duhet ndaj sfidave ushtarake nëpër botë.
I pranishëm në Londër me rastin e 70-vjetorit të organizatës së Atlantikut Verior, Trump deklaroi se Franca duket se po izolohet qëllimisht nga Aleanca.
“Dëgjova deklaratën e presidentit Macron për NATO-n e vdekur klinikisht dhe mendoj se është një deklaratë shumë, shumë e keqe për 28 vendet anëtare. Askush nuk përfiton nga NATO-ja sa Franca, ndaj të bësh një deklaratë të tillë është shumë e rrezikshme, shumë e pandershme,” u shpreh Trump.
Qëndrimi zyrtar u bë i njohur para shefit të Aleancës Ushtarake, Jens Stoltenberg.
“Gjendja që përshkruan Franca nuk qëndron sepse NATO-ja aktualisht është aktive, e shkathët dhe ka formuar kolektivin e mbrojtjes më të madh që prej Luftës së Ftohtë,” deklaroi Stoltenberg.
Deklarata e presidentit Macron u nxit nga situata në Sirinë veriore pas ofensivës turke në muajin tetor, por dy zyrtarët thanë të martën se kontributi i Turqisë në NATO është i pamohueshëm.
Në përvjetorin e 70-të të aleancës, liderët e botës pritet të firmosin disa vendime për të ardhmen, qasjen ndaj terrorizmit dhe shpenzimet. Në mbrëmje është rezervuar një pritje edhe nga Mbretëresha Elizabeta e Dytë e Britanisë së Madhe.
Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Rama, ministri i mbrojtjes dhe ai i jashtëm në detyrë.
g.kosovari











