“Një tjetër fushatë mashtrimi është përhapur ditët e fundit, përmes telefonatave të realizuara nëpërmjet internetit. Sipas autoriteteve, qytetarët telefonohen nga adresa të ndryshme, ku përdoret emër banke, duke krijuar përshtypjen se telefonata vjen nga banka, por në të vërtetë është vetëm një përpjekje për të mashtruar”, raporton gazetarja Gerta Vasku.
“Ky është një fenomen që ndodh ndërkombëtarisht. Është një fushatë që kombinon disa teknika. Një prej tyre është voice, që përdor internetin për të kryer telefonata të ndryshme. Teknika tjetër është call ID, që bën maskimin e kodit për t’i vendosur +355 për t’u identifikuar si prefiks në Shqipëri”, thotë ekspertja e sigurisë kibernetike Migena Buzra.
Qëllimi i autorëve që kamuflohen si punonjës banke është të fitojnë besimin dhe më pas të marrin të dhëna sensitive.
“Është interesante sesi telefonatat që vijnë drejtohen me emër në gjuhën shqipe, duke të thënë që është kryer një transaksion, ‘ju lutem dërgoni kodin që ne ta bllokojmë’, dhe automatikisht, duke qenë se ti vendosesh në panik, jep informacion që nuk duhet dhënë”, shprehet Buzra.
Por çfarë duhet të bëjë qytetari që tashmë ka rënë pre e mashtrimit, duke dhënë të dhënat e tij të bankës?
“Në momentin e parë që të vjen një telefonatë e tillë, duhet të kontaktosh menjëherë bankën dhe të zbulosh çfarë ke bërë”, thotë ekspertja.
Sipas ekspertes së sigurisë kibernetike, qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm. Në rast se marrin një telefonatë të tillë, duhet ta ndërpresin menjëherë, pasi bankat në Shqipëri nuk kërkojnë asnjëherë përmes telefonit të dhëna të kartës, PIN-in, kodet e sigurisë apo informacione të tjera konfidenciale.











