Mijëra persona pritet të mbushin këtë të diel State Farm Stadium në Glendale të Arizonës, jo për një ndeshje futbolli, por për t’i dhënë lamtumirën aktivistit konservator Charlie Kirk, i vrarë në një atentat në Utah.
Ceremonia, e parashikuar për 21 shtator, do të kombinojë elementë civilë, fetarë dhe politikë, duke u shndërruar në një ngjarje madhore për lëvizjen MAGA. Organizatorët e quajnë “Super Bowl-in e Amerikës konservatore”, një funeral i shndërruar në miting kombëtar.
Kirk, 31 vjeç, bashkëthemelues i organizatës Turning Point USA, ishte një figurë shumë e ndjekur mes të rinjve konservatorë dhe një zë i fuqishëm në rrjetet sociale. Ai u qëllua për vdekje me një plumb në qafë në një kampus universitar, pak pasi kishte folur mbi dhunën me armë dhe çështjen transgjinore. Ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar praninë e tij.
“Më kërkuan të shkoj dhe e ndjej si detyrim”, tha ai. Po ashtu, do të marrë pjesë edhe zëvendëspresidenti J.D. Vance, i cili vuri në dispozicion avionin qeveritar për transportimin e trupit nga Utah në Arizona.
Programi zyrtar parashikon hapjen e dyerve të stadiumit në orën 08:00, ndërsa në 11:00 nis ceremonia me predikime dhe fjalime politike, të transmetuara drejtpërdrejt në televizion dhe në platforma online.
Masa të forta sigurie janë shpallur. Do të lejohen vetëm çanta transparente dhe zbatohen kontrolle të rrepta. Organizata Turning Point USA ka hapur faqen fightforcharlie.com për regjistrimin e pjesëmarrësve, ndërsa hotelet pranë stadiumit janë tashmë të mbushura plot.
Në mesazhet zyrtare, Kirk përshkruhet si “një legjendë amerikane, që ia kushtoi jetën besimit, guximit dhe mbrojtjes së Amerikës”.

