Ajo nga e cila vuan sistemi i drejtësisë në Shqipëri vjen nga devijacionet që bëhen në aplikimin e drejtësisë.
Shteti shqiptar në të gjitha instancat e veta është i politizuar, thotë për DW-në prof. Artan Fuga.
DW: Rreth finalizimit të reformës në drejtësi në Shqipëri ka mendime të ndryshme mbi rolin e faktorit ndërkombëtar në këtë process. Disa thonë se diplomatët dhe zyrtarët perëndimorë e kanë kaluar “vijën e kuqe”, madje duke cënuar dhe sovranitetin e vendit, ndërkohë që të tjerë e shikojnë si të vetmen zgjidhje angazhimin e tyre. Ju ku vendoseni në këtë spektër gjykimesh?
Artan Fuga: Mendimi im është që sistemi politik në Shqipëri, që në vitin 1990 e këtej, është ngritur mbi disa themele dhe një prej tyre, ndër kryesorët, ka qenë dhe mbetet ndihma, mbështetja, si dhe një lloj mbikëqyrje politike nga partnerët ndërkombëtarë perëndimorë. BE-ja, NATO-ja a SHBA-ja janë partnerë esencialë. Kjo ndihmë e mbështetje nuk është diçka e jashtme, pasi hapja dhe demokratizimi i vendit që në origjinë u bë me ato vlera e parime të njohura që u artikuluan në ditët e para të proceseve transformuese si ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’; ‘Integrim evropian’; ‘Hapja ndaj demokracisë liberale’ e të tjera vlera që edhe sot e kësaj dite partneriteti me aleatët tanë perëndimorë as nuk mund të mohohet, as nuk mund të diskutohet, por dhe as mund të hamendësohet se si mund te evitohet.
Duke u kthyer te reforma në drejtësi, njëri prej problemeve që ka dalë është i ashtuquajturi veting. Me dilema që një përzgjedhje ndërkombëtarësh që do të vlerësojë në hallka të ndryshme të sistemit të drejtësisë mund të cënojë dhe sovranitetin. Personalisht e mendoj këtë si një problem të stisur, i cili mund të gjejë një zgjidhje të thjeshtë nga ana racionale. Si një qytetar i këtij vendi, unë e di se duhen respektuar kushtetuta a aktorët e brendshëm institucionalë, duhen respektuar parimet dhe ligjet, duke përfshirë dhe parimin bazë të sovranitetit. Por ama, kjo nuk përjashton që në procesin e zgjedhjes e selektimit të aktorëve në sistemin e drejtësisë të mund të merren këshillime, kritere, parametra përzgjedhës nga organizma ndërkombëtarë, parametra këto që mund të jenë shumë të saktë dhe të vijnë si metodologji delegimi. Pastaj nuk ka rëndësi se kush e aplikon nga pikëpamja njerëzore. Askush nuk e pengon shtetin shqiptar të marrë modele, kritere vlerësimi, a sisteme të aplikueshme drejtësie, të cilat nuk kanë lidhje me sovranitetin. E mendoj këtë si një problem që krijon një shqetësim të kotë nga mënyra se si trajtohet. Për mua ndërkombëtarët le të japin kriteret e seleksionimit dhe parametra shumë të saktë vlerësimi, pastaj kush e aplikon këtë, kjo nuk ka pikë rëndësie nëse këta të huaj do të jenë këshilltarë, ekspertë, ndihmës dhe nga ana tjetër vendasit mund t’i aplikojnë këto.
DW: Po sjelljen e klasës politike shqiptare si e vlerësoni në çështjen e realizimit të reformës në drejtësi?
Artan Fuga: Më duket se klasa politike nuk është në lartësinë që kërkon një Shqipëri më e emancipuar dhe në hullitë e shtetit ligjor. Klasa politike në këtë drejtim ka dështuar dhe gjëja e parë që duhet të pranojë është ky dështim. Ajo nga e cila vuan sistemi i drejtësisë vjen nga devijacione që njerëz të ndryshëm bëjnë në aplikimin e drejtësisë, gjithashtu është dhe problem modeli. Shteti shqiptar në të gjitha instancat e veta është i politizuar. Nuk është një shtet neutral dhe i paanshëm, por bipartizan ose tripartizan. Të gjitha institucionet janë të ngritura në këtë mënyrë dhe kjo vjen nga vetë struktura kushtetuese e sistemit tonë politik, që kërkon kontrollin e vet mbi parlamentin, mbi sistemin e drejtësisë, mbi instittucione të tjera të pavarura. S’ka në Shqipëri institucione të pavarura nga palët politike. Për mua kur sistemi i drejtësisë ndodhet nën thundrën dhe mbrojtjen e politikës, atëherë e ka tejet të vështirë të funksionojë në parametra e duhur. Po t’i shikojmë ata që deri tani na janë paraqitur si ekspertë të pavarur në procesin e reformës në drejtësi, na rezulton në fakt se nuk janë të tillë. Nuk ekzistojnë ende në vendin tonë ekspertë të tillë apo agjenci që të japin një vlerësim të pavarur. Një tjetër çështje ka të bëjë me informacionin që duhet të kemi ne si qytetarë mbi modelet e sistemeve të drejtësisë të vendeve perëndimore, p.sh. të dimë modelin skandinav, apo ai anglosankson, mesdhetar etj., dhe të zgjedhim prej tyre. Ne nuk mund të shpikim një model drejtësie allashqiptar, të cilin nuk e gjen as në Kosovë, as në Itali, as në Francë, as Rumani a ndonjë vend tjetër për të ecur në rrugë të pashkelura. Kjo mua më duket abursde.
DW: Ka dy propozime kryesore që bëhen për modelin. Cilin preferoni ju?
Artan Fuga: Të dyja për mua janë problematike. Pse? E djathta propozon një kontroll, apo një ekuilibër nëpërmjet përzgjedhjes së gjykatësve nga vota politike në parlament. Këtë unë e kuptoj si një mënyrë kontrolli të gjyqësorit, për të shpikur një mekanizëm ekuilibri nën trysninë e rënies së kontrollit nga ana e qeverisë, ose partisë në pushtet. Por kjo nuk e zgjidh problemin, sepse jemi po në atë koncept që vuajmë prej rreth dy dekadash e gjysmë, shteti njëpartiak, shteti dypartiak a tripartiak, në vend të shtetit neutral që duhet të na ishte servirur. Nga ana tjetër edhe propozimi i krahut të majtë është po aq problematik. Sepse e konsideron sistemin e drejtësisë, aktorët e saj, si një korporatë më vete. Që e merr legjitimitetin nga vetja. Unë kam frikën e humbjes së legjitimitetit të së drejtës, që është një pushtet dhe jo një organ teknik. Pushtetet duhet të dalin nga sovrani dhe duhet të kontrollohen nga sovrani. E fundit, unë kam frikë se një sistem i tillë zgjedhjeje, si në rastin e sistemit universitar p.sh., mund të prodhojë një tension dhe devijacion të sistemit për shkak të frymës së trafikut elektoral. Ndaj për rolin e politikës në këtë aspekt unë mendoj se nuk është adekuat.
DW: Ka një prioritet të prioriteteve për Shqipërinë, integrimi evropian i vendit. Por ka një zhvillim të ditëve të fundit, kur pas një procesi referendar Britania e Madhe vendosi daljen nga BE. Në një kohë kur dalja nga BE po përflitet dhe si një proces zinxhir e për vende të tjera, a ka kuptim që Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit të vijojnë të aspirojnë hyrjen?
Artan Fuga: Mua më shqetëson shumë mënyra se si përfaqësues politikë, publikë apo nga media po i përqasen me këtë ngjarje të jashtëzakonshme gjeopolitike. Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja nuk prek, nuk cënon orientimin proeuropian të Shqipërisë. Ata që diskutojnë për këtë rast se çfarë do të bëhet me Shqipërinë pas daljes nga Unioni të Britanisë nuk kanë arritur të kuptojnë se çfarë është Europa e integruar, apo çfarë është fryma europiane. Pas 25 viteve ‘radiografia’ tregon se nuk paskemi marrë vesh asgjë. Akti i daljes së Britanisë nga blloku, nuk do të thotë se ky vend nuk është një fuqi europiane. Nuk do të thotë se Zvicra meqë nuk është në BE nuk është për tregun europian, nuk është për frymën europiane, nuk është për demokracinë euriopiane, nuk është për solidaritetin europian. Në këtë rast është e njëjta gjë dhe me Britaninë e Madhe. Që do të thotë se Europa është themeluar që t’i përmbahet 4 parimeve bazë, sipas dhe themeluesve të saj. Së pari, për paqe mes kombeve. Që do të thotë se si italianët, si francezët, si britanikët, elitat e tyre politike aspirojnë për një paqe në Europë dhe moskthim në kontinentin e luftrave botërore. Nuk shoh në klasën politike angleze a vende të tjera të Europës tendencë për heqje dorë nga ky parim themelor. Së dyti, është tregu i përbashkët, i cili shfaqet në nivele të ndryshme, si psh., te paraja e përbashkët, tarifat e përbashkëta etj., pra organizohet në shkallë të ndryshme. Dihet që vende të cilat nuk ndodhen në zonën euro kanë nivele bashkëpunimi me vendet europiane. E treta është shfaqja e Europës si një kontinent përballë pjesës tjetër të botës. Parimi i katërt themelor është fryma demokratike, mbrojtja e të drejtave të njeriut. Këto parime për Shqipërinë, iku apo erdhi Britania, është Zvicra apo nuk është Zvicra në BE, nuk e cënojnë frymën proeuropiane të vendit tonë. Pra, edhe sikur të konkretizohen hamendësimet e ‘procesit zinxhir’ të daljes nga BE, që më duket një skenar i largët dhe esktrem, nuk mund të cënojnë sot, nesër e pasnesër frymën europianiste të shtetit dhe elitave politike në Shqipëri.
DW: Duke u kthyer në aspekte të politikës së brendshme. Viti i ardhshëm është jo vetëm vit elektoral, por përkon dhe me zgjedhjen e presidentit. Së fundmi po artikulohet versioni i zgjedhjes së kreut të shtetit me votë popullore. Ju si e mendoni një zgjidhje të tillë?
Artan Fuga: Ky pretendim në këtë çast ka elemente që nuk janë racionale. Jemi në pozitën që nga një grup deputetësh, a nga ndonjë segment i caktuar politik hidhet ideja e presidenti të zgjedhur direkt nga populli. Kjo është qartësisht një ‘dalje jashtë teme’. E dyta është se sistemi politik në Shqipëri ka njëmijë probleme të tjera dhe ne në vend që të ballfaqohemi me ato probleme që janë reale për të tashmen shpikim një problem që lidhet me të ardhmen. Në vend që të analizojmë të tashmen, konjukturën, bëjmë një devijim. Mund të jetë një problem i drejtë, por nuk ka lidhje me kontekstin. Kemi problem ligjin elektoral që nuk lejon partitë e vogla që të përfaqësojnë dhe ato qytetarin në skenën politike duke sjellë monopolizimin e pushtetit. Administrata është e politizuar dhe është e ndarë sipas partive politike. Tenderat dhe prokurimet e kanë nxjerrë nga tregu ekonominë shqiptare. Ne kemi sot njehsim të pushtetit, kur kryetari i mazhorancës është dhe kreu i qeverisë. Deputeti në parlament zgjidhet duke u devijuar vota e popullit. Këto probleme apo të tjera, nuk na i sjell zgjedhja e presidentit nga populli apo nga parlamenti. Ato duhet të korrigjohen dhe mënyra se si zgjidhet kreu i shtetit nuk ndikon në to. Edhe sikur presidenti të zgjidhet nga populli, kjo nuk do të thotë se zgjidhet problemi. Sepse nuk mund të jenë të themi 20 kandidatë që garojnë dhe populli do të vendosë. Realisht presidentin nga populli i propozojnë partitë, janë partitë që bëjnë propaganda, gjë që do të thotë se ai që ka për t’u zgjedhur nga kjo formulë nuk shpëton nga influenca partiake. Tjetër, një president nga populli në një rend kushtetues që ne kemi do të krijojë një shtet me ‘dy koka’, sa i takon kompetencave. Pra, këto propozime janë dalje nga tema, një utopi, një ikje nga problemet juridike dhe politike që ka vendi.
DW: Ju jeni nje zë i ndjeshëm që dëgjoheni në publik, përmes prononcimeve në media ose aq më shumë nga angazhimi në rrjetet sociale. Megjithatë zëri i qytetarëve është ende i zbehtë për mjaft probleme të mprehta me të cilat ata përballen. Pse ndodh kjo sipas mendimit tuaj?
Artan Fuga: Sepse nuk ka shoqëri shqiptare, duke e shprehur kështu në mënyrë radikale. Ju e dini që forcat më të gjalla të shoqërisë, të rinjtë, ikin, emigrojnë. Pasoja e parë e emigrimit nga pikëpamja politike është zbehja e opinionit publik si rezistencë e politikave shtetërore. Një pjesë aktive e popullsisë punon në administratën publike ose ndërmarrje a agjenci publike, të cilët për të ruajtur vendin e tyre të punës janë nën presion, pra, që e kanë shumë të vështirë të shprehin kundërshtimet, mendimet, alternativat, të japin një mendim të pavarur. Një pjesë e shoqërisë, pjesa më e madhe të rinjtë, janë të papunë. Bëhet fjalë për një masë që shkon nga 20 deri në 40 përqind të popullatës. Dhe i papuni që është inaktiv nga ana ekonomike, bëhet inaktiv dhe nga ana politike. Format e demokracisë sot në botë janë forma të demokracisë përmes aksionariatit paternalist, marrjen pjesë në demkracinë e prodhimit, të aksioneve, të financave etj., të tilla që nuk gjen sot në Shqipëri. Nga ana tjetër ka dhe një popullatë që jeton në zona rurale pa pjesmarrje. Mediat janë të politizuara. Pra, jemi shumë larg shoqërisë ku qytetari është në qendër./DW/a.m.