Prokuroria e Tiranës, ka nisur hetimet ndaj Dritan Priftit pas kallëzimit të bërë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë. Dritan Prifti është kallëzuar nga ILDKP, me dyshimin se ka fshehur duke mos deklaruar disa apartamente dhe transfertat e parave në lidhje me shitblerjen e aksioneve të ndryshme nga kompania e basteve apo edhe një kompani tjetër nafte.
Siç raporton ABC News, referuar kallëzimit, thuhet se ILDKP ka verifikuar të gjitha deklaratat e pasurisë për ish-deputetin Prifti që nga viti 2003 deri në vitin 2013 kur edhe është larguar nga detyra e deputetit. Gjatë kësaj periudhe, rezulton se Prifti dhe pjesëtarët e ngushtë të familjes janë pronarë të disa apartamenteve të cilat ish-deputeti nuk i ka deklaruar.
Po ashtu edhe transaksionet e shitblerjes së disa aksioneve në kompaninë Xhoilloto dhe më pas në shitjen e saj nuk i ka deklaruar, që për ILDKP-në ka konsumuar vepër penale.
Ndaj Priftit në Prokurori që nga maji i këtij viti, janë depozituar edhe dy kallëzime të tjera, një nga sekesioni kundër prastrimit të parave pranë policisë së shtetit dhe ILDKP. Kjo e fundit, në materialin voluminoz të dorëzuar në Prokurori dyshon se ish-ministri dhe deputeti Prifti ka fshehur pasurinë, duke dorëzuar kontrata fiktive pasurish.
Hetimet kanë evidentuar transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare si dhe janë ngritur dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 4.6 milionë euro. Këto kallëzime mësohet se janë administruar nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur hetimin e tyre, duke i kërkuar institucioneve përkatëse t’i vënë në dispozicion materialet në ngarkim të ishdeputetit Prifti









