• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, January 22, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Fshati digjet…

by Thoma Gëllçi
11/01/2026 09:31
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Thoma Gëllçi

Në Shqipëri fatkeqësitë nuk vijnë asnjëherë një e nga një. Ato e dinë shprehjen e urtë shqiptare: “Kur vjen e keqja, hapi derën.” Këtë dimër, vendi përjetoi atë që mund të quhet pa frikë Trilogjia e Apokalipsit Shqiptar: thatësirë urbane, përmbytje biblike dhe zjarr urbanistik. Një paketë “all inclusive”, e përhapur tani në promovimin e Shqipërisë turistike.

Fillimisht ishte Vlora. Qyteti i detit, i pushimeve dhe vlonjatëve që rrahin gjoksin, mbeti pesë ditë pa pikë uji. Jo për shkak të ndonjë thatësire shekullore, por sepse një tub vendosi të çahej. Nuk e kishte zënë kuçedra. Por se kush e kishte fajin, prapë thirrej në ndihmë mençuria popullore që: “Faji u bë qyrk dhe nuk e veshi njeri.” Banorët hapnin rubinetët çdo mëngjes me shpresën mistike se gjatë natës tubi ishte ngjitur, por shpresonin më kot. Një tub njëmetërsh nuk gjendej në të gjithë Shqipërinë.

Pastaj erdhi shiu. Jo ai që frymëzon poetët, por ai shiu që i bën rrugët e qyteteve lumenj dhe parqet liqene. U mbyt gjysma e Shqipërisë, ndërsa gjysma tjetër u bllokua nga dëbora. Lagje të tëra të Durrësit u kthyen në akuariume spontane, ku peshqit mungonin, por baltë kishte me bollëk. Një jetë u humb dhe miliona euro u zhdukën nën ujë, ndërsa në ekranet televizive shfaqeshin pamje të burrave që notonin me frigoriferë mbi supe, si maratonistë të Olimpiadës së Mbijetesës. U mbyt edhe burgu i VIP-ave.

Tirana, e ndjerë e përjashtuar nga kjo festë e përgjithshme, vendosi të kontribuojë me një zjarr spektakolar në tregun e rrobave të përdorura. Rrobat që kishin parë më shumë dimra se vetë qeveria, u dogjën me një solemnitet shtetëror. “Second-hand” u shndërrua në “carbon-hand”. Tregtarët shikonin hirin me një trishtim filozofik: edhe xhaketat e varfra paskan të drejtë në katastrofën e tyre.

Në çdo vend normal, pas kësaj, qeveria do të kishte shpallur emergjencë kombëtare, do të kishte shpjeguar, ndoshta edhe kërkuar falje. Por ne nuk jetojmë në “çdo vend normal”. Ne jetojmë në Shqipëri, ku qeveria u nda me elegancë në dy pjesë: një pjesë jashtë shtetit dhe pjesa tjetër brenda televizorit.

Ministreshat e mbetura në territor u rreshtuan krah për krah dhe nisën ecjen ceremoniale përgjatë baltës, ndërsa kameramani ecte mbrapsht si një gaforre, duke rrezikuar të rrëzohej në ndonjë gropë. Lume postimesh në Facebook dhe Instagram. Njëra më e bukur se tjetra. Heroizëm i pamatë i anëtarëve të qeverisë dhe falënderime pa fund të popullit për udhëheqësit.

Ndërkohë, disa rrugë të sapoinauguruara, ende me shiritat e kuq të përurimit në xhepa, kishin rrëshqitur. Dherat kishin zënë asfaltin dhe rruga ishte bërë e pakalueshme. Por për fat të mirë, ajo ishte kaluar tashmë në televizor gjatë ceremonisë së hapjes, prandaj vazhdonte të funksiononte në arkiva.

Në Vlorë, tubi i çarë u shndërrua në personazh ndërkombëtar. Ai erdhi me aeroplan nga Turqia, si një yll kinemaje që vjen për premierë. Ndërsa qytetarët mbushnin bidona në cisterna, tubi fluturonte business-class. Dhe për ta bërë ironinë të plotë, në lajmet e fundvitit, një nga zërat kryesorë ishte dhurimi i një aeroplani për shërbime VIP nga Turqia për qeverinë e Shqipërisë. Ne nuk kemi një avion për të shuar zjarret që djegin çdo vit Shqipërinë, por na duhej një avion për udhëtimet e qeverisë.

Dhe pikërisht në këtë skenë epike, kur gjysma e vendit notonte në baltë dhe gjysma tjetër shikonte televizorin me këmbët në legen, Kryeministri gjeti momentin e artë për të hapur debatin madhor me gazetarin Blendi Fevziu:

Kush gënjen më shumë për udhëtimet jashtë?

Po, sepse kur ke një vend që mbytet, digjet dhe thahet njëkohësisht, gjëja më e rëndësishme është nëse është e vërtetë ajo që tha Blendi se shtatë ministra në një kohë ishin jashtë Shqipërisë apo ishin tre. Kryeministri u kundërpërgjigj fort me një editorial të shkruar nga Diella se Blendi Fevziu kishte udhëtuar më shumë se ministrat. Plasi keq. Zoti Fevziu u kundërpërgjigj duke thënë se ai harxhon paratë e tij dhe jo të taksave, por Diella e bëri përsëri replikën gati.

Ky nuk ishte debat, ishte Kampionati Botëror i Pasaportave, një reality show ku fiton ai që ka gënjyer me më shumë kilometra.

Në portalet e internetit shpërthenin argumentat e rëndësishëm:

— Ti ke gënjyer!
— Jo, ti ke gënjyer!
— Unë kam vetëm tre pasaporta, ti ke katër!

Në Durrës, një burrë që po thante tapetet me tharëse flokësh, e dëgjoi këtë dhe murmuriti: “Shtëpia ime sot ka qenë në Venecia.” Në Vlorë, një pensionist shikonte rubinetin bosh dhe pyeste veten nëse edhe ai duhej të shkonte në Turqi për të gjetur ujë. Në Tiranë, tregtarët mbledhnin hirin qe ta mbanin per kujtim.

Shqiptarët e harruan baltën. Harruan përmbytjen. Harruan dëmet, zjarrin, dëborën. Shqetësimi kombëtar u bënë udhëtimet e Blendi Fevziut, udhëtimet e ministrave dhe postimet në Facebook dhe Instagram. Dhe kështu, ndërsa vendi mbytej, digjej dhe thahej, drejtuesit tanë udhëtonin me fjalë, jo për të shpëtuar Shqipërinë. Në kafenetë e shumta ku është parlamenti i vërtetë i shqiptarëve, njerëzit u ndanë në dy kampe të mëdha: një pjesë që shanin Blendi Fevziun dhe një pjesë që shanin kryeministrin Rama.

Kjo është historia jonë e përditshme: një udhëtim i pafund nga balta te pasaporta, nga tubi i çarë te aeroplani VIP, nga rrugët që rrëshqasin te debatet që fluturojnë. Shqipëria duket sikur ka nevojë të dijë kush gënjen më shumë për udhëtimet. Ajo nuk ka nevojë për ujë, për rrugë që nuk shemben dhe për drejtues që të mos udhëtojnë larg realitetit. Por këto janë gjëra shumë pak televizive. Më mirë të grindemi për udhëtimet, kush gënjen, ti apo unë, ndërsa vendi mbytet në absurditetin e vet.

Next Post
Semani dhe Shkumbini dalin nga shtrati! Në Shkodër, rreth 525 ha tokë nën ujë. Rrugë të bllokuara në Gjirokastër

Semani dhe Shkumbini dalin nga shtrati! Në Shkodër, rreth 525 ha tokë nën ujë. Rrugë të bllokuara në Gjirokastër

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Moti i keq në Greqi, shënohen dy viktima, dëme dhe përmbytje në Athinë dhe në zonat bregdetare

Moti i keq në Greqi, shënohen dy viktima, dëme dhe përmbytje në Athinë dhe në zonat bregdetare

January 21, 2026
“Po jepja porosinë kur ndodhi krimi”/Avokati i Metës, dëshmitar në vrasjen te “Komuna e Parisit”: I njihja të dy, aty haja drekën..

“Gjyqtarët në GJKKO janë kamikazë”- Avokati i Ilir Metës: Presidentin po e mbajnë kot 16 muaj në qeli

January 21, 2026
Zbardhet drafti i qeverisë për Bordin e Paqes. Kuvendi e miraton nesër..

Zbardhet drafti i qeverisë për Bordin e Paqes. Kuvendi e miraton nesër..

January 21, 2026
“Do ishte bërë kasaphanë”, audioregjistrimi i “21 Janarit”, gazetari: Komandanti i Gardës e kishte situatën në kontroll, urdhri u dha për…

“Do ishte bërë kasaphanë”, audioregjistrimi i “21 Janarit”, gazetari: Komandanti i Gardës e kishte situatën në kontroll, urdhri u dha për…

January 21, 2026
Italia heziton për Këshillin e Paqes në Gaza, Meloni: Nuk mund ta nënshkruajmë menjëherë pjesëmarrjen tonë

Italia heziton për Këshillin e Paqes në Gaza, Meloni: Nuk mund ta nënshkruajmë menjëherë pjesëmarrjen tonë

January 21, 2026
Vrasjet e 21 janarit, analisti Arben Meçe: Ekzekutimet, sipas një skeme të përgatitur nga Berisha

Kufiri politik i 21 janarit: Vija e kuqe që mban PD larg pushtetit

January 21, 2026
Beqiri: Dumani u shfaq i dobët. Dosjet që po i zënë pluhur, s’ia ka fajin Policia e Shtetit

“E bëri gjak Shqipërinë”/ Beqiri: “21 Janari” nuk mbyllet pa marrë burgim përjetë Berisha

January 21, 2026
Seanca e përshpejtuar për Bordin e Paqes me kërkesë të PS, reagon PD: Do marrim pjesë, pavarësisht..

Seanca e përshpejtuar për Bordin e Paqes me kërkesë të PS, reagon PD: Do marrim pjesë, pavarësisht..

January 21, 2026
Sot seanca e fundit e sesionit parlamentar/ Betohet Avokati i Popullit, çështjet e tjera në rend dite

Rama në Bordin e Paqes, Kuvendi miraton kërkesën e PS: Të enjten seancë plenare

January 21, 2026
“Si të mbijetoni 5 ditë”/ Qeveria e Groenlandës publikon udhëzuesin për përgatitje në raste krize

“Si të mbijetoni 5 ditë”/ Qeveria e Groenlandës publikon udhëzuesin për përgatitje në raste krize

January 21, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In