Maher Khalil dhe Anas Ayyad, qytetarë amerikanë me origjinë palestineze, po bëheshin gati të hipnin në avionin e kompanisë “Southwest Airlines” kur një agjent i kompanisë amerikane u ka treguar, duke u kërkuar falje, se nuk mund të hipnin në bord pasi që një pasagjer tjetër, i cili ka thënë t’i ketë dëgjuar të flisnin arabisht, kishte frikë të udhëtonte në të njëjtin avion me ta.
Dy miqtë janë intervistuar nga shërbimi i sigurisë i aeroportit “Chicago Midway”, si dhe nga Policia, para se përfundimisht të lejoheshin të hipnin. “Nëse ai person nuk ndihet i sigurt, le të udhëtojë me autobus”, i ka thënë Khalil agjentit të “Southwest Airlines”.
“Ne jemi qytetarë amerikanë”. Pasi kanë hipur, shumë pasagjerë të shqetësuar kanë kërkuar nga Maher Khalil të hapte kutinë e vogël të bardhë që kishte në dorë, ka treguar ky për kanalin lokal televiziv “NBC 5 Chicago”.
“Menjëherë, fillova të ndaja bakllavanë me ta”, ka treguar ai, duke folur edhe me ironi.
“Southwest Airlines” ka njoftuar për “biseda (të personelit) me klientë, të cilët na janë afruar gjatë procedurës së hipjes”, pa dhënë më shumë hollësi. “Të gjithë pasagjerët kanë udhëtuar deri në Philadelphia, ku ata kanë mbërritur me dhjetë minuta vonesë”, ka shtuar kompania.