Nga Jakin Marena
Pas shpalljes nga DASH si person “non grata” në SHBA bashkë me familjen e tij, Sali Berisha është në situatën më të vështirë gjatë gjithë karrierës së tij politike 56 vjeçare.
Teksa nuk ngurron ta quajë veten simbolin e shembjes së komunizmit në Shqipëri e kontributor i madh në demokratizimin e vendit dhe hapjen drejt BE, ish kryeministri është goditur pikërisht në pikën e tij më të dobët: proamerikanizmin.
Ndonëse ka në kurriz një sërë akuzash të rënda, që nga ngritja e sistemit piramidal me “bekimin” e tij, tragjedinë e marsit 1997 ku humbën jetën mbi 4 mijë njerëz, “Gërdecin” ku u vranë nga biznesi i djalit të tij 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, aferën 230 milion euroshe të Rrugës së Kombit, vrasjen shtetërore para kryeministrisë nga Garda të 4 demonstruesve të opozitës, aferën 500 milionë euro CEZ-DIA, Berisha nuk e ka “gëlltitur” vendimin e Blinken!
Për më tepër që është shpallur i padëshirueshëm sëbashku me bashkëshortën Lirie, vajzën Argita e djalin Shkelzen, të argumentuar dhe në deklaratën e plotë të sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken!
“Aktet e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi bashkë kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruan Sekretari Amerikan i Shtetit.
Duke shtuar mes të tjerave më tej se “në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.
Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”.
Menjëherë pas shpalljes “non grata” nga DASH, Berisha nisi sulmet ndaj Edi Ramës, Sorosit dhe SHBA, duke i akuzuar si pjesë e një konspiracioni ndërkombëtar, për shkak se sipas tij kishte manifestuar qëllime patriotike në mbrojtje të hapësirës shqiptare në Ballkan.
Madje ka paditur Blinken në një gjykatë periferike të Parisit, duke pajtuar një ndër avokatët më të shtrenjtë në botë, për të ngritur padinë e “pastruar dinjitetin”, por edhe duke deklaruar se me popullin amerikan dhe qeverinë amerikane ka miqësi. A thua sekretari i DASH vepron në kokën e tij, ngjashëm siç ndodh herë pas here në Shqipëri.
Teksa Berisha në këtë situatë të vështirë kishte nevojë për mbështetjen e të gjithë aleatëve të tij, madje dhe atyre që u kishte shpëtuar kokën për zullumet e bëra gjatë qeverisjes, mbështetja i erdhi me “pikatore”!
“Biri”i tij politik Lulzim Basha, ka dhënë gjithnjë deklarata të dyzuara për të mos e prishur as me Berishën dhe as me SHBA, teksa pret shtatorin për të hyrë në Kuvend dhe për t’u përfshirë në rutinën politike, duke e lënë ish kryeministrin në fatin e vet politik.
Pavendosmëria e Bashës, është përkthyer në kërcënime të Berishës në drejtim të tij, deri aty sa të shprehet se nuk përjashton mundësinë e rikthimit në krye të PD, ndonëse Basha nuk ka mbushur asnjë javë që është zgjedhur nga anëtarësia e PD. Madje përballë tre rivalëve në PD!
Ndërsa mbështetja e figurave të PD më shumë ka qënë në formën “habitore”, teksa nënvizojnë se janë të shokuar, Berisha është kontributor i demokracisë dhe më proamerikani në Shqipëri.
Por njeriu që ia ka më shumë për borxh mbështetjen Sali Berishës është presidenti aktual Ilir Meta. Të cilin ish kryeministri, vetëm 9 vite më parë e shpëtoi nga burgu.
Videopërgjimi i ish ministrit të LSI Dritan Prifti, në të cilin shihej me zë dhe figurë si kërkonte me bllok në dorë Ilir Meta ryshfete 700 mijë euroshe e punësime për njerëzit e tij, e kërcënonte seriozisht me dënim të rëndë zv.kryeministrin dhe kreun e atëhershëm të LSI.
Berisha në mënyrë të papritur i shkoi për darkë Ilir Metës në shtëpi, dy netë para vendimit të Gjykatës së Lartë për videopërgjimin e realizuar nga Prifti, duke dhënë një sinjal të qartë se ish.zv.kryeministri i qeverisë së tij nuk duhej të dënohej. Madje u kujdes që dhe media të ishte aty “rastësisht”, një presion i pastër ndaj Gjykatës për vendimin pro Metës.
Një ditë para se të jepej vendimi, Berisha sërish konsumoi publikisht një kafe në qendër të Tiranës me Ilir Metën, duke kërcënuar dhe prokurorinë.
“Meta i është përgjigjur në mënyrën më të civilizuar kërkesës së Gjykatës së Lartë, i ka shprehur besimin asaj dhe nuk ka pasur asnjë paragjykim. Ka pasur probleme të drejta me Prokurorinë, e cila ka mashtruar Parlamentin me dokument, por ky është kapitull tjetër. Pavarësisht nga kjo, nuk ka asnjë keqardhje nga heqja e imunitetit të Metës, sepse të dhënat e mëvonshme kanë faktuar katërcipërisht se Parlamenti është mashtruar, nuk iu tha e vërteta për ato çështje. Por kjo s’ka rëndësi.
Është Drejtësia që e nxori këtë problem. Këtu mendoj se qëndrimi i Metës i bën nder atij si politikan. Pranimi i Gjykatës për ta shqyrtuar në materie çështjen i bën nder shtetit ligjor, i bën nder integritetit të saj”, deklaroi Berisha në atë kohë.
Dhe vërtetë vendimi u mor me pro Metës me shumicë votash në Gjykatën e Lartë, pasi ishin hequr të gjitha provat dhe ishin pranuar ato të ekspertëve të LSI, të cilët kuptohet nuk morën për bazë asgjë! Vetëm Ardian Dvorani guxoi dhe shkruajti diçka kundër Metës, që e vuajti pas shumë vitesh!
Bazuar në këtë akt shpëtues nga qelia, Sali Berisha shpresonte shumë që Ilir Metën do ta kishte aleat në përballjen e tij me SHBA. Mbështetur dhe në deklaratat e para zgjedhjeve të Presidentit i cili paralajmëronte se “do të kapte për veshi amerikanët” dhe se “SHBA mund ta qëllojë atë me raketë në Malin me Gropa, por raketa ka dhe Rusia”!
Pas zgjedhjeve të 25 prillit, kur opozita humbi dhe sidomos pas shpalljes së Berishës person “non grata” në SHBA, pikërisht atëherë kur i duhej më shumë se kurrë “sovranisti”, Ilir Meta është shprehur vetëm njëherë.
Presidenti lëshoi një deklaratë të mbështetje të Berishës dhe Lilit, teksa quajti vendimin një “fletërrufe të porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit. Kjo “fletërrufe” jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik!
Solidaritet për Ju, Lilin e familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë”!
Kjo ishte deklarata e fundit e Metës në mbrojtje të Berishës, më poak se një muaj më parë, teksa akuzon Ramën e indirekt ambasadoren Yuri Kim për vendimin ndaj mikut të tij ish kryeministër.
Që nga ajo kohë, jo që nuk ka më solidaritet nga Presidenti për ish kryeministrin, por as kontakte mes Metës dhe Berishës, duke e lënë të vetëm në përballjen me SHBA.
Me sa duket Presidenti aktual, i shkarkuar nga Parlamenti një javë më parë, shkarkim që nuk ka sjellë asnjë reagim në mbrojtje të tij, ndërkombëtar apo nga vendi, është nën hijen e frikës se mund të jetë ai nesër njeriu që mund të shpallet “non grata” për zullumet që ka bërë.
Media dhe politika nuk përton t’ia kujtojë Metës se është në radhë pas Berishës për të qënë i padëshirueshëm në SHBA dhe për të përfunduar në bankën e të akuzuarve.
Ndërsa Presidenti hesht, duke shpresuar ndoshta dhe për ndonjë lobing të mundshëm të Monika Kryemadhit, bashkëshortes së tij kryetare e LSI në SHBA ku gjendet pothuajse që pas 25 prillit, zemërimi i Berishës me Metën nuk njeh kufi.
Madje burimet nga presidenca thonë se janë ndërprerë dhe komunikimet mes tyre, me telefona apo në takime. Megjithëse vështirë të besohet se tek vilat e tyre në Lalz do t’i shpëtojnë tundimit të ndonjë përshëndetjeje mes tyre. Deri më tani, ndryshe nga beharët e tjerë, nuk kanë publikuar asnjë foto bashkë buzë detit, apo ndonjë postim për vizita respektive./JavaNews.al