Franca po përgatitet për një valë tjetër protestash të shtunën, ndërkohë që autoritetet i kanë ndaluar tubimet.
Muzeu i Luvrit dhe disa muze të tjerë të mëdhenj në Paris do të jenë të mbyllura të shtunën, për shkak të shqetësimeve lidhur me dhunën e mundshme gjatë protestave të planifikuara.
Ministria e Kulturës bëri të ditur se edhe muzetë “Orsay” dhe “Picasso” bëjnë pjesë në grupin e institucioneve që do të mbyllen.
Ministria u ka kërkuar të gjitha institucioneve nën varësinë e saj të marrin masat e nevojshme për të garantuar “sigurinë e vizitorëve, mbrojtjen e stafit dhe ruajtjen e veprave të artit”.
Franca do të angazhojë rreth 70,000 forca sigurie në mbarë vendin për protestat këtë fundjavë, deklaroi ministri i Brendshëm Laurent Nunez, duke paralajmëruar se në rrjetet sociale tashmë po qarkullojnë thirrje për dhunë dhe plaçkitje.
Në terren do të jenë të pranishme njësi elitare të policisë, rreth 20 automjete të blinduara dhe 15 autobote ujëhedhëse.
“Kemi vënë re thirrje të shumta nga lëvizje të së majtës ekstreme dhe të së majtës radikale. Kjo nuk është një demonstratë paqësore dhe miqësore”, tha Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez.
Partia e majtë “Franca e Pabindur” e kandidatit presidencial Zhan Luk Melensho i ka cilësuar masat e marra si një “rrëshqitje drejt autoritarizmit” dhe u ka bërë thirrje francezëve të marshojnë “në mënyrë paqësore”.
Protestat e së shtunës së kaluar degjeneruan në kaos; demonstruesit vunë zjarre, thyen vitrinat e dyqaneve, kryen grabitje dhe u përleshën me policinë.
Autoritetet franceze po u bëjnë thirrje atyre që filmuan skena të grabitjes për të ndihmuar hetimin, duke dorëzuar videot.











