Qeveria franceze do të mobilizojë rreth 70 mijë oficerë policie dhe xhandarë në të gjithë vendin këtë fundjavë, në kuadër të masave të shtuara të sigurisë për protestat e paralajmëruara. Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, deklaroi se në terren do të angazhohen edhe njësitë speciale të ndërhyrjes, skuadrat kundër trazirave dhe personel në trajnim, për të garantuar rendin publik dhe për të mbrojtur ndërtesat qeveritare e institucionet publike.
Ndër njësitë që do të aktivizohen janë GIGN, Grupi Kombëtar i Ndërhyrjes së Xhandarmërisë, dhe RAID, të specializuara kryesisht në operacionet kundër terrorizmit, shpëtimin e pengjeve dhe mbrojtjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Nuñez tha se autoritetet synojnë të krijojnë një forcë policore “jashtëzakonisht të lëvizshme, të shkathët dhe efektive”, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj çdo akti dhune. “Ne jemi gati të jemi jashtëzakonisht të vendosur dhe të mos tolerojmë asgjë”, deklaroi ministri, duke iu referuar shqetësimeve për thirrjet në rrjetet sociale për sulme ndaj ndërtesave publike.
Në kuadër të masave parandaluese, disa muze dhe atraksione turistike në Paris pritet të mbyllen gjatë fundjavës, përfshirë Luvrin dhe Muzeun e Orsay-t. Edhe disa dyqane dhe biznese kanë paralajmëruar mbylljen e përkohshme. Ministri i Brendshëm dënoi gjithashtu aktet e vandalizmit dhe plaçkitjet e regjistruara gjatë protestave të fundjavës së kaluar, duke paralajmëruar se autoritetet do të tregohen të pakompromis ndaj personave përgjegjës.
Sipas Nuñez, një pjesë e incidenteve të mëparshme dyshohet se është nxitur nga grupe të së majtës ekstreme, megjithëse ai nuk dha detaje të mëtejshme për këto pretendime. “Ajo që ndodhi më 17 tetor është krejtësisht e papranueshme”, u shpreh ministri, duke theksuar se policia do të marrë të gjitha masat për të parandaluar përsëritjen e plaçkitjeve dhe sulmeve ndaj ndërtesave publike.
Autoritetet franceze bëjnë të ditur se më shumë se 200 persona janë burgosur tashmë në lidhje me dhunën e regjistruar gjatë protestave të fundjavës së kaluar.











