Dhjetëra shqiptarë janë depërtuar sot nga Franca drejt vendit tonë. Sipas Policisë së Shtetit në aeroportin ‘Nënë Tereza’ ka mbërritur një avion me shtetas shqiptarë të deportuar nga Franca, pasi u janë refuzuar kërkesat për azil.
Në aeroport në momentin e mbërritjes së avionit, kanë qenë edhe zv/ministri i Punëve të Brendshme Stefan Çipa, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, si dhe Atasheu i Sigurisë së Ambasadës Franceze në Tiranë.
Si zv.ministri Çipa ashtu edhe kreu i policisë janë shprehur se azili në vendet e Bashkimit Evropian është i pamundur.
“Vazhdojmë në mënyrë intensive bashkëpunimin me të gjithë partnerët dhe vendet e Bashkimit Evropian, të cilat e kanë bërë të qartë se azili në vendet e BE-së është i pamundur”, është shprehur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako.
Çako gjithashtu ka shtuar se të gjithë shtetasit shqiptar që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së janë të detyruar të kthehen në Shqipëri, duke krijuar kështu një kosto shtesë për veten e familjen e tyre, si dhe për të gjithë shqiptarët të cilët presin anëtarësimin e vendit në BE.
“Policia do të vazhdojë të hetojë të gjitha agjencitë dhe grupet të cilat udhëzojnë shtetasit shqiptar për azil në BE”, tha Çako, i cili shtoi se shumë vende të unionit ofrojnë mundësi reale për punësim, por azili nuk është mënyra e duhur.
Ditën e sotme numri i personave të riatdhesuar është 30 persona, ndërkohë që Çako ka bërë të ditur se ka edhe në vende të tjera shtetas shqiptar që do të riatdhesohen.
a.ç










