Mbi 90 të vrarë është bilanci i përplasjes së dhunshme mes Izraelit dhe palestinezëve, deri tani.
Ajo që ka marrë pamjen e një lufte të vërtetë dhe të përgjakshme po shënon viktima nga të dyja palët, si dhe shkatërrimin e ndërtesave të shumta.
Militantët e Hamasit vijojnë të lëshojnë raketa nga Gaza në drejtim të Izraelit, një pjesë e të cilave kanë rënë mbi Tel Aviv, ku janë shënuar 12 viktima.
Bilanci më i rëndë shënohet në radhët e palestinezëve që flasin deri tani për 83 të vrarë dhe mbi 500 të plagosur.
17 nga viktimat janë fëmijë dhe 7 gra. Nuk janë ndalur as sulmet ajrore izraelite që thanë se kanë vrarë komandantë të lartë të Hamasit, si dhe rrëzuan një ndërtesë shumëkatëshe në Gaza.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu bëri thirrje për mobilizimin e 7 mijë rezervistëve.
Izraeli ka nisur drejt kufirit me Gazën forca të ushtrisë me qëllim sipas tij mbajtjen e situatës nën kontroll.
Luftimet shpërthyen pas disa javësh tensioni në Jerusalemin Lindor, që kulmoi me përplasjet mes myslimanëve dhe hebrenjve në xhaminë Al Akasa.
/a.r