Krahas lirimit të hapësirave nga ndërtimet pa leje, Universiteti Bujqësor i Tiranës po transformohet çdo ditë në një ambient të denjë për një nga vatrat më të rëndësishme të dijes në vend. Bashkia e Tiranës ka vijuar punën për sistemimin e lulishteve dhe rrugicave brenda këtij kampusi universitar, duke krijuar kështu kushte më të mira për studentët që studiojnë aty.
Është kryetari i Bashkisë së Tiranës ai që ka publikuar disa foto nga një prej rrugëve dhe trotuareve që po ndërtohen në ambientet e brendshme të universitetit dhe që lidh Rektoratin me Fakultetin e Veterinarisë.
“Pllakë pas pllakë, bëhet trotuari! Këtë herë ekipi ynë u gjend me mjetet e nevojshme në Institutin Bujqësor! Po e bëjmë Tiranën edhe më të bukur ditë pas dite!”, shkruan Veliaj në facebook në komentin që shoqëron fotot nga puna që po bëjnë ndërmarrjet e bashkisë.