Pas ndërtimit të rrjetit të ri të ujësjellësit pak muaj më parë, rreth 5 mijë banorët që jetojnë në Rr. “Kahreman Ylli” në Kinostudio, tashmë kanë edhe një infrastrukturë moderne urbane. Bashkia e Tiranës ka përfunduar në kohë rekord rindërtimin nga e para të rrugës “Kahreman Ylli” dhe të segmentit që e lidh atë me rrugën “Hysen Xhura”. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se rruga ofron standardet e nevojshme jo vetëm në sinjalistikë, por edhe në jetëgjatësinë e saj, pasi më parë janë kryer të gjitha punimet nëntokësore.
“Jam shumë i lumtur që kthehemi te Rr. “Kahreman Ylli”, një rrugë ku i kemi bërë gjërat për së mbari. Fillimisht shtruam ujësjellësin, bëmë kanalizimet, pusetat, pra gjithë rrjetin nëntokësor, e mandej bëmë shtresat e asfaltit, sinjalistikën, ndriçimin, gjelbërimin. Kjo është mënyra e duhur! Për të mos shkuar në Tiranën e 4 viteve të gjumit, ku fillimisht bëhej një asfalt dhe pastaj çahej toka për të bërë punimet e tjera”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Ashtu si Rr. “Imer Ndregjoni”, apo një sërë investimesh të tjera që kemi bërë në Njësinë 4, Veliaj theksoi se edhe ky investim i jep jetë atij që në Planin e Përgjithshëm Vendor konsiderohet si një nga qendrat e Tiranës policentrike. “Kjo është një rrugë që është bërë për së mbari dhe në këtë pol, që është poli i Kinostudios në Tiranën policentrike, pra një qendër më vete, them që kemi hedhur baza të mira”, shtoi Veliaj.
Ai tha se Bashkia e Tiranës, në vijim të detajimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, po bashkëpunon me Universitetin e Harvard-it për të përcaktuar se si këto zona do të zhvillohen në pole të veçanta urbanistike. “Kemi një ekip arkitektësh të Universitetit të Harvard-it, të cilët si për zonën e Kinostudios, edhe për Kombinatin, Laprakën, pra që janë qendrat e reja të Tiranës policentrike, deri në fund të verës do të përgatisin një plan urbanistik vetëm për këto qendra. Duke qenë se në këtë zonë kemi tashmë dy ministri, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Kulturës, duke qenë se i kemi marrë rrugët mbarë, duke zgjeruar hapësirat publike dhe po kthejmë lulishtet e reja, duke qenë se kemi investuar në kënde lodrash, duke qenë se shumica e bankave kanë degët e tyre, shkollat, gjimnazet, disa fakultete të Universitetit të Mjekësisë, pra ka mjaftueshëm shërbime administrative komerciale, për t’u trajtuar si një qendër më vete”, theksoi Veliaj.
Ndaj, theksoi ai, edhe ky investim që i vjen në ndihmë të gjithë banorëve, krijon edhe premisën që kjo zonë të jetë një nga qendrat e reja të Tiranës. “Teksa po mbarojmë të gjitha këto investime, siç i kemi marrë rrugët mbarë, nga Fizika Bërthamore, këtu te “Kahreman Ylli”, deri ku kufizohet me Njësinë 3, ashtu duam që t’i japim fokus rehabilitues qendrës. Unë jam shumë i ndërgjegjshëm, sheshi “Skënderbej” ka dalë fantastik, po kështu “Pazari i Ri”, edhe “Bulevardi i Ri”, ama njerëzit nuk mund të dalin përditë në Sheshin “Skënderbej”, disa hapësira i duan në lagjet e tyre, si këtu në Kinostudio”, theksoi Veliaj.
Deputetja e PS, Blerina Gjylameti falenderoi Bashkinë e Tiranës për investimet në Njësinë 4 dhe theksoi se kjo është prova që bashkia nuk punon vetëm për fushatë, por në çdo kohë, me të njëjtin ritëm. “Rikthehemi këtu dy javë pas zgjedhjeve me një tjetër premtim të mbajtur. Sikundër shikojmë kemi një rrugë që i është përgjigjur problematikës që kanë pasur qytetarët prej shumë vitesh, arritëm të urbanizojmë zonën dhe ndërkohë edhe pronat kanë marrë një vlerë të caktuar, e cila rritet ditë pas dite. Njësia 4 nuk ka asnjë dallim nga njësitë e tjera dhe me qendrën e Tiranës. Do të vazhdojmë me punë sepse puna nuk ishte për zgjedhjet, puna vazhdon për ta rikthyer si duhet Tiranën, në Tiranën që duam, për të pasur një vend si gjithë të tjerët”, tha Gjylameti.
Në rrugë janë bërë punimet e nevojshme nëntokësore, kanalizimet dhe rrjeti i ujërave të zeza dhe të bardha, si dhe janë vendosur të gjitha linjat rezervë të telefonisë dhe internetit. Gjithashtu rruga është pajisur me sinjalistikën dhe ndriçimin e nevojshëm. /MA.ME