Cikli: “Antiheronjtë e “qyteteve të harruara”*
Nga Armando Meta & Javanews.al/
Në një shtëpi pritjeje në Vermosh, i zoti argëton turistët me videon e dasmës së të bijës. E veshur nuse, vajza shfaqet në ekran teksa kapërcen pragun e shtëpisë, e përkulur thuajse deri në tokë.
“Kështu martohen të gjitha vajzat këtu, është ritual,” thotë i ati. “Do doja të ndryshonte, por nuk mund ta bëj unë i pari”.
Rituali i dasmave në fshatrat Vermosh dhe Lëpushë të komunës së Kelmendit është pasqyrë e mendësisë që shoqëria shqiptare ka trashëguar për rolin e gruas dhe nënshtrimit të saj ndaj burrit.
Bashkë me përunjësinë e saj, i pranuar si i pandryshueshëm nga shqiptarët është edhe fakti që vajzës apo gruas i takon të bëjë të gjitha punët e shtëpisë. Paralelisht me punën për të cilën merr një rrogë, nëse e ka një të tillë.
Ky lloj mentaliteti po ndryshon me vështirësi nga brezi i ri, i cili tenton të ndajë në mënyrë të barabartë punën e papaguar brenda shtëpisë.
Në Shqipëri mungon një studim që tregon se sa kushton puna e papaguar e grave, megjithatë besohet që ajo është me e përhapur në zonat rurale dhe ato malore, ku përveç punëve të shtëpisë gratë kujdesen për kafshët dhe punojnë tokën në fermat familjare.
Në Lepushë dhe Vermosh, dy fshatra të thellë të Bjeshkëve të Nëmura gratë i gjen të zhytura në punë; megjithatë, të gjitha janë të buzëqeshura.
Këto dy fshatrat të largët të lëna prej vitesh në harresë janë ringjallur vitet e fundit nga turizmi malor. Banorët kanë hapur dyert për turistët, ndërsa puna e grave të zonës është dyfishuar nga fluksi i vizitorëve.
Marjana Vukdedaj tregon se çdo ditë e saj nis në orën 6:00 të mëngjesit me mjeljen e lopës. Gruaja kullon më pas qumështin dhe e ndan në pjesë; me të bën djathë apo mishavinë.
Dita vazhdon me punët brenda dhe jashtë shtëpisë, të cilat dyfishohen në kohë turistësh me pritjen e tyre, pastrimin e dhomave dhe gatimin për shumë vetë. Çdo ditë e Marjanës mbyllet në 10 të darkës.
“Nata ime është një gjumë i thellë pa ndjenja, pas një dite që ka zgjatur 14-15 orë në këmbë,” thotë ajo.
Pavarësisht punëve të rënda, gratë e Malësisë janë njësoj të shqetësuara sa burrat për rënien e numrit të turistëve këtë vit. Në dy ditët e qëndrimit në Lepushë, në shtëpinë e Marjana Vukdedajt kishte vetëm 3 turistë kosovarë. Ndërsa në Selcë-një tjetër fshat i zonës-një grup prej 20 motoristësh polakë kishin kaluar natën në fshat.
Më shumë se sa reklama e keqe, zonën e Vermoshit duket se ka dëmtuar mungesa e reklamës. Natyra është e mrekullueshme dhe e begatë, por zona është më pak e njohur se Thethi në guidat turistike për të huajt.
Banorët kanë një marrëveshje të heshtur me njëri-tjetrin; nata për çdo turist shkon 25 euro ku përfshihen, fjetja dhe tre vaktet e ushqimit. “Çmim që jo të gjithë e respektojnë,” shprehet Florida, një vajzë e re që ka marrë përsipër administrimin e një hoteli në Vermosh.
Terreni i vështirë dhe mungesa e investimeve i mban larg turistët nga ky skaj i largët i Shqipërisë së Veriut. Rrugët janë më të mira nëse mbërrin aty nga Mali i Zi, ndërkohë që mungesa e shpeshtë e energjisë elektrike dëmton mundësitë e banorëve dhe shton mundin e grave në punët e shtëpisë.
Gjystina Grishaj nga Lëpusha ka të vetmin dyqan në fshat që shet produkte për turistë. Ajo është një grua “burrneshë”, që e pëlqen traditën dhe jeton në harmoni me vëllanë, kunatën dhe fëmijët e tyre.
Ndryshe nga gratë e tjera, Gjystina është e fokusuar në punët jashtë shtëpisë. E ka nisur me një libër me bimë popullore, që ia ka lënë trashëgimi babai dhe sot ajo njeh mbi 2000 bimë me të cilat bën produkte kurative për fshatin dhe turistët.
Në dyqanin e saj gjen reçel dhe raki boronice, komposto thane e raki me rrënjë genciane. Gjystina ndihmon gjithashtu të vëllanë të bëjë llaç për shtëpinë dhe organizon familjen në mbledhjen e sanës për dimër.
“Dita jonë është e ndarë mes punëve të shtëpisë, bujqësisë dhe blegtorisë,” thotë Gjystina. “Nusja e tim vëllai harxhon 1 orë e 10 minuta çdo mëngjes për të mjelë tre lopët e familjes,” shton ajo.
Përveç ndarjes së pabarabartë të punëve, gratë në zonën e Kelmendit janë të penalizuara edhe nga emigracioni masiv i të rinjve. Në shtëpinë ku bujtëm natën e parë në Vermosh, familja e Nikollë Hysajt i kishte të tre fëmijët në Amerikë. Mungesa e ndihmës ia vështirëson punën Nikollës dhe zonjës së shtëpisë.
Në Vermosh, burrat janë të ndërgjegjshëm për punën e vështirë të grave të tyre, por ngurrojnë të hedhin një hap në drejtim e duhur duke i ndihmuar ato.
“Do donim të ndryshonim, por na pengon guximi se kush do ta hedhë i pari këtë hap,” përgjigjet me humor njëri prej tyre.
Kullat e braktisura dhe shtrati i lumit Cem janë dy nga gjërat që te pezmatojnë më shumë. Mbeturinat e shumta të shpërndara andej-këtej brigjeve të lumit, që gjarpëron përmes fshatit, ngjajnë me hudhra ciklopike të varura enkas për të mos i marrë mësysh bukuritë e zonës.
Në fshat, vendës e mysafirë, duket se do të fillojnë edhe një herë t’i kërkojnë ndihmë traditës, që nga barnat popullore për mjekim – në fshat nuk ka mjek, kur dikur kishte edhe autoambulancë – e deri te “majë krahu” i famshëm për të lajmëruar njëritjetrin, sepse askund nuk arrijnë valët e asnjërës prej kompanive celulare. Aparatet telefonike shërbejnë vetëm për të fotografuar natyrën apo veten. Të duket se edhe shteti, edhe njerëzit i kanë hyrë në hak natyrës, aq sa e ke të vështirë të kuptosh ku fillon neglizhenca e njërit dhe ku mbaron indiferenca e tjetrit. Qendra e fshatit me godinat pa jetë i ngjan një muzeu të vdekur, si vetë koha kur atje gjallonte kooperativa socialiste.
Ndërsa ngjyra e kuqe nëpër çatitë e kullave – nuk di a mund të quhen më të tilla ndërtimet e reja – edhe elemente të tjera që i ka sjellë qytetërimi, vërtet i shtojnë nuanca të ndezura peizazhit, por e ke të vështirë t’i harmonizosh brenda vetes, siç e ke edhe më të vështirë t’i përgjigjesh pyetjes: “Nëse zhvillimi këtu duhet të ndjekë qytetërimin perëndimor apo duhet të ruajë traditën e zakonet, shpirtin e tij të vjetër?” Marku është njëri nga ata që nuk ngurron të japë mendimin e tij për këtë. Ai është nga Thethi dhe me familjen e tij ka disa vite që jeton në Melburn, ku menaxhon bare e restorante. Për të Vermoshi është edhe si një mundësi për investime, të cilat duhet t’i kalojnë përmasat e bujtinave familjare.
Është i mendimit se elementet e modernitetit i vijnë në ndihmë turizmit, por ato këtu duhen futur me masë, që të mos prekin traditën. Një shembull të tillë e gjen te bujtina “Peraj”, ku shërbimi i kulturuar bashkëjeton me mikpritjen tradicionale të malësorit. Prek Peraj jeton në Lezhë, por vjen shpesh te njerëzit e tij, në trojet e të parëve. Për rrugën flet me ekzaltim, por sheh nevojën e më shumë investimeve për energjinë elektrike, sinjalin telefonik dhe shërbimin mjekësor. Është kjo një kambanë alarmi që e dëgjon thuajse në të gjitha bisedat. Dhe mirë bëhet: nuk duhet heshtur kurrsesi. Po, mbase më shumë se fjalët, duhet veprimi. Secili të marrë përgjegjësitë e veta. Është dita për t’i dalë zot vendit. Është koha kur, për të përballuar turizmin që shtohet paprerë, të jepet kushtrim. Se turisti nuk është zaptuesi i radhës, por një pushtues i dëshirueshëm, sa fin, aq edhe nazeli, që nuk vjen me “t’varfnua” por me “t’pasunua”.
Dhe ky kushtrim duhet dhënë sa më shpejt. Se ndryshe, edhe turizmi do të mbetet një kujtim dhe, në ndonjë nga historitë e shumta që kanë zakon të tregojnë malësorët e këtyre anëve, do të thuhet: “U dha kushtrimi se mësyni turisti, por nuk e ndigjoi kush!” Është ky një pezm, një trishtim që edhe mund ta lësh të heshtur. Por duhet folur, madje me zë të lartë, nëse nuk do që për Vermoshin të vlejë akoma ajo thënia e shkrimtarit të njohur anglez, Samuel Johnson: E, vlen ta shohësh, por nuk vlen të shkosh gjer atje për ta parë.
*“Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë- Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros”.