Cikli: “Antiheronjtë e “qyteteve të harruara”*
Nga Armando Meta & Javanews.al/
Pozicioni gjeografik “si xhep” i Beratit, mosveprimi i pushteteve për më shumë se 2 dekada, i ka tejlodhur beratasit autoktonë, që kanë nisur vitet e fundit të mendojnë mbijetesën me turizmin. Deri tani gati 30 banesa të vjetra qindravjecare në Kala, Mangalem dhe Goricë, pronarët i kanë kthyer në hotele familjare, ku tradita gërsheton bukur gurin, drurin, familjet. Këtu turisti nuk befasohet thjeshtë nga dhomat me baxha, apo mbështur në shkemb, sic janë në Mangalem disa shtëpi-hotel si “Kodikët”, “Guva”, “Vruho”, “Osumi”, qerasjet me liko dhe lëng trandafili, tradita të vjetra qytetare, por përballet me histori familjesh të hershme gati mistike. Lorenc Pushi ka kthyer në hotel familjar në Goricë banesën e vet 500-vjecare, ndërtuar së pari nga familja pasanike arbëreshe Kapedani, aty hyri nuse një motra e Kostandin Kristoforidhit, i cili jetoi dhe vetë aty një farë kohe dhe para një shekulli u ble nga firmëtari i Pavarësisë, Dhimitër Tutulani, aty lindën Margarita dhe Kristaq Tutulani e më pas godina u ble nga familja Pushi. Lorenci tregon me pasion në oborrin mbuluar me pemë dhe lule plot histori familjesh goricare dhe ti futesh në një botë historike mistike avokatësh, mësues, emigrantësh të parë, që vijnë nga Mesjeta, deri sot. Edhe Kalaja, Gorica, Mangalemi, por dhe lagje të tjera mesjetare me vijushmëri jete si Celepias, Vakëf, Përrua afrojnë aq shumë histori. Hotel Restoranti i Tomi Mihos, në të ngjitur të Kalasë, është pjesë e sarajeve ndërtuar në shek XVIII nga Ahmet Kurt Pasha, ku muret e Portës së Pashait janë ndërtuar me kolonadat e Apolonisë. Sot mjaft banesa të vjetra janë shitur tek të tjerë, por në Berat, ndryshe nga qytetet, pronari i ri e njeh historinë e pronës që ka në dorë dhe tregon respekt.
Migena Dura Hoxha me të shoqin drejtojnë prej 10 vitesh hotel- restorantin e tyre “Pasarela” në qëndër të qytetit, deri sot i vetmi ku këndohet kënga qytetare beratase. “Sot ka një turist kureshtar dhe ende jo elitar, sic duhet të jetë në Berat”, shprehet Migena, e cila është diplomuar për marketing Turistik ndihet keq nga cilësia ende e ulët në paraqitjen e qytetit tek turistët nga zyra e informacionit, apo anglishtja e ciceronëve. “Gatimi ka mbetur në traditën e gjysheve, këtu kjo është mënyja e parë për turistët si tava e baltës, tava me zogun me lëng, perimet e shumëllojshme, gatuar sipas traditës, tavat, gjellët, gatuar me vajin e ullirit të Bilcës, që rregullon shijen”, shton Migena. Për të produkti vendas është problem, që lidhet me prodhuesin direkt: “fermerët thonë se janë BIO, por sot, pas 27 vitesh, fara vendase ka humbur, ndërsa ofertë-kerkesa në tregu nuk ecën dot zinxhir. Por ka mbetur bulmeti dhe mishi, që janë me shijë sepse malësia përreth ka kullota të mira, pa ndotje, ndaj nënproduktet ruajnë ende shijen, që duhet ruajtur patjetër”.Vetë është blerëse e rregullt e likove, që prej disa vitesh një grup grash beratase përgatisin dhe marketojnë dhe ua servir turistëve në mengjes: “i marr tek një nikoqire beratase, Margalina Goxhomani, e cila me shumë pasion dhe dashuri bën likotë sipas stinës dhe ka kthyer shtëpinë në një shkollë të vërtetë të tyre”.
Tregu i shtëpive mesjetare
Përgjatë viteve, ndonëse banesat në lagjet karakteristike mund të ktheheshin me kohë në hotele familjare, ku cdo familje beratase nëse siguron pak financim, e garanton kthimin e dy dhe tre dhomave për turistët, munguan projektet konkrete nga Bashkia, qarku apo prefektura. Kërkesa në rritje për të blerë banesa në lagjet karakteristike nga arkitektë, inxhinierë, piktorë e së fundi dhe politikanë, ka nxitur shpirtin mbrojtës beratas për të mos e braktisur qytetin, apo të tjerë që po shikojnë rikthimin aty. Ndihen të lodhur beratasit, mosbesues se asgjë e re nuk ndodh në qyte. Ndofta të mësuar me gurin e bardhë shkëlqyes të kalldrëmeve, ndihen keq që guri i bukur i malësive përreth eksportohet në Europë.
Restaurimet
Restaurimet e Monumenteve janë përqëndruar tashmë tek Xhamia Mbret, pjesë e kompleksit të Qendrës Mesjetare, ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në shekullin e XV. “Ka vetёm njё “kasafortё” qё ta ruajё Beratin: njё legjislacion i shkruar dhe i zbatuar. Ҫelёsin e ruajtjes apo kodin e hapjes sё saj le ta “varin” atje, tek Shën Triadha apo Shën Mëhilli. Mimoza Os Kuscly, beratase që jeton në Paris mendon se turizmi në Berat sot ka shumë vlera ende të panjohura, por nevojitet publicitet promocional i fuqishëm dhe njerëz që ta njohin dhe duan qytetin me pasion.
Berati i vjetër, kishat, xhamitë, bashkëjetesa e mrekullueshme fetare që të huajt e kanë këshëri për të kuptuar pse-në, lagjet, prodhimet artizanale aq të mira, likotë, qendisjet, punimet në dru nëse do ringrihen, beratasit do të fitojnë 10 fish. Është koha që beratasit të bëhen më luftarakë, të mos presin por të ringrejnë veten për t’ja servirur vlerat qytetit.
*“Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë- Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros”.