Cikli: “Antiheronjtë e “qyteteve të harruara”*
Nga Armando Meta & Javanews.al/
Udhëtojm drejt Kalimashit, fshati i varfër, vetëm 20 kilometra larg Kukësit, që tashmë e ka braktisur edhe rruga nacionale nga ndërtimi i autostradës. Kalimashi ka një nga vendburimet e mëdha të mineralit të kromit, ndërsa kamionat e mbushur me të nuk pushojnë së lëvizuri as përmes autostradës, e as në rrugën e vjetër të Qafë Malit, vecanërisht në orët e natës drejt Durrësit.
Një biznes tërësisht i pakontrolluar, ku secili merr sa mundet, pa i dhënë gjë shtetit, ndonëse është pasuri kombëtare. Për me keq, ka nisur të fusë edhe njerëzit në grindje. Dhe nuk është vetëm ngjarja e para pak ditëve, se një muaj ka kaluar kur një 27 vjecar u plagos rëndë në një prej galerive që shfrytëzohen në mënyrë amatoreske. “Këtë mos e shkruaj, se me këto galeri e kemi lidhur jetën, edhe pse e dimë se hyjmë, por nuk e dimë në dalim gjallë. Po c’t’i bësh bukës së fëmijëve”, thotë Avni Sela nga fshati Dugagjin. -Punëtorët e pronarët- Kalimashasit në heshtje e kanë ndarë mes familjeve Kecëlin, sektori më i vjetër i minierës dhe janë si të thuash, “pronarët” e sotëm të kësaj pasurie minerare.
“E kemi ndarë fshatçe dhe jemi lidhur me pronarë të mëdhenj. Ne nxjerrim mineralin, ata na paguajnë, nuk shoh gjë të keqe në këtë mes”, thotë një prej këtyre ‘pronarëve’. Të gjitha punët aty janë të rregulluara edhe pse vetë “pronarët” nuk ia thonë shumë zanatit të minatorit. Të vjetrit janë të pamundur, ndaj kanë punësuar andej- këtej minatorë, ose më mirë “pseudominatorë”, të cilët halli i detyron të hyjnë në galeritë e braktisura. Edhe pse nuk ka ndonjë statistikë të saktë, aktualisht në këtë zonë punojnë mbi 300 punëtorë. Të paktën kështu na thotë Selmani. “Është një lloj biznesi familjar se punojmë të gjithë si familje këtu”, na thotë një nga “pronarët”, Selmani që paguan si minator Gazmendin nga Nanga, një ish-minator në minierën e dikurshme të Gjegjanit me 2500 lekë në ditë.
“Duket shumë, por punoj gjithë ditën dhe vetë i bëj plasjet e minave”, tregon ai duke shtuar: “pale rrezikun brenda galerisë ku nuk bëhet fjalë për ndonjë kusht teknik”. Gazmendi na jep të dhënat e sotme kostove për proceset e punës në galeri: një shpim me thellësi prej një metri ka një kosto prej 1200 lekë, një kapsoll 100 lekë, një metër fitil 60 lekë, një kilogram dinamit 1200 lekë. “Po dinamitin ku e gjeni?”, pyes Gazmendin, që ngre supet dhe nuk përgjigjet, sikur të na thotë, “mos hyr aq thellë bre burrë”.
Vetëm nga një shpërthim me këto të dhëna, realizohet një sasi kromi prej 5 – 10 tonësh, apo në ndonjë rast edhe më shumë. Dhe këtë krom, “pronarët” e tokës te dera e galerisë ua shesin tregtarëve të mëdhenj me 110 – 120 euro tonin, ose 16 lekë për kilogram. Janë këta tregtarë fituesit e vërtetë që vetëm sa ngarkojnë kromin në kamionë dhe e nisin në Durrës për ta eksportuar. -Nga karroca e dorës, sot minitraktor- Në galeritë gjysmë të shkatërruara nuk ka shina, as vagonë për t’a nxjerrë kromin te dera e galerisë. Selmani thotë se, ” shinat dhe vagonat i kemi shitur për skrap deri në vitin 1998″. Ndodhi kështu se galeritë u braktisën, ndërsa disa prej tyre u taposën me mur, që u shembën nga “pronarët”. Janë ata, Selmanët përgjegjësit e pronarët, ndërsa Gazmendët janë minatorët dhe punëtorët, që nxjerrin kromin deri te dera e galerisë. Selman “pronari” edhe krekoset. “Biznesin e kam nisur me familjen duke gërmuar e grumbulluar krom afër galerisë. Mineralin e transportonim me karrocë dore. Kemi fituar jo pak deri tani, ndaj dhe transportin e kryejmë me tap-tup (minitraktor), se nuk ka shina për të blerë vagonë, se edhe atë do t’a kishim bërë. Fshati ynë mund të jetë fshati që ka më shumë tap-tupe sot në përdorim në të gjithë vendin. Cdo familje e ka të paktën një të tillë”, thotë ai.
Shkatërrimi i mineres së Kalimashit
Nisi ngadalë shaktërrimi pas vitit 1994, kur ndërmarrja u mbyll përfundimisht. Fillimisht banorët e fshatit aty pranë shitën ç’farë gjetën, hekurishte, apo krom në sipërfaqe, shitën për skrap, deri edhe kangjellat e dritareve. Islam Selimi, një nga punëtorët e vjetër të minierës tani në pension, tregon shkatërrimin. “Fabrika, shinat e minierës, vagonat dhe gjithë ai hekur që kishte ndërmarrja u shit brenda vitit për skrap. Gjithcka u shkatërrua thuaj sa hap e mbyll sytë. Askush atëhere nuk e ngriti zërin se vinin banorët nga Kalimashi duke thënë: “është toka jonë”. Kështu u zhdukën mijëra ton hekur, dhjetra mijëra metra shina nga të dy sektorët, Kalimash dhe Kecël, qindra vagonë, që ishin në punë deri ditën e fundit. Gjithë kjo pasuri si të thuash, shkoi për dhjamë qeni dhe askush s’mbajti përgjegjësi”, tregon ai. Ndërmarrja minerare e Kalimashit nisi të funksionojë në vitin 1978. Ish-drejtori për rreth 10 vjet thotë se ajo kishte 7 sektorë, ndërsa i gjithë prodhimi i kromit ishte për eksport.
“Shkatërrimi i kësaj ndërmarrjeje ishte një gabim, por akoma dhe më shumë gabim është shfrytëzimi pa asnjë kriter i kësaj pasurie”, thotë Elezi. Vetëm fabrika e pasurimit të kromit kishte një kapacitet prodhimi prej 60 – 70 mijë ton në vit koncentrat kromi me 48-50 për qind krom i pastër, ndërsa ndërmarrja përpunonte në vit rreth 200 mijë tonë mineral dhe rreth 40-50 mijë ton krom në vit për eksport, me 28-36 për qind krom të pastër. Në vitet 80-të aty punonin rreth 1500 punëtorë dhe mbi 50 kuadro me arsim të lartë. Janë këto vetëm disa prej të dhënave të ish-ndërmarrjes, që ende ngjall nostalgji tek ata qindra ish-punëtorë, tashmë në pension të parakohshëm. Se çfarë ishte kjo ndërmarrje, na e thotë edhe Sherif Sela, 63 vjec, një nga banorët e Kalimashit, që ka punuar 15 vjet në minierë, duke përdorur fjalën “dikur” (a thua se bën fjalë për shekuj më parë). “Kalimashi i ngjante një qyteze të pagjumë. Punohej gjatë 24 orëve, ndërsa për punëtorët kishte dy menca. tani në këtë moshë jam i detyruar të vij me nipër e mbesa që të grumbulloj krom ku të gjej. Vij se u a di edhe vrimat galerive, por edhe të mbroj femijët”, thotë Sherifi. -Nëntoka e Kalimashit ende e pashfrytëzuar- Nëntoka e Kalimashit prej kohësh ka qenë njohur për mineralin me krom të pasur. Ish- drejtori Elezi tregon se rajoni i Kalimashit ka rezerva kromi, të cilat arrijnë në mbi 9 milion tonë, prej të cilave janë shfrytëzuar vetëm rreth 3,8 milion tonë, pa llogaritur rezervat e kromit në Vlahën, të cilat llogariten në 3 milion tonë e janë shfrytëzuar vetëm 500 mijë tonë. Është një pasuri e madhe, por që po fut në grindje njerëz, të cilët në përpjekje për t’u pasuruar c’nuk arrijnë të bëjnë, edhe nëse janë të afërm, siç ndodhi pak ditë më parë. Se aksidenti është fundi, ndërsa fillimi, grindja për kromin e fitimin që nxirret prej tij. Ka një përpjekje për t’a dhënë me koncension këtë zonë kromi tek një kompani e të huaj. Por jo ashtu siç ka patur edhe vite më parë. Nëse bëhet tani, të paktën kjo pasuri të shfrytëzohet sipas parametrave teknikë. Jo si sot, me tap-tupe e karroca dore.
*“Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë- Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros”.