Xhama të thyer, fasada të ndotura, rrjeta teli të shkatërruara, lulishte të dëmtuara, flakadanë të djegur, e mbeturina pa fund. Kjo ishte panorama e asaj që la pas protesta e opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ambientin rreth Ministrisë së Brendshme.
Protestuesit kanë goditur në vazhdimësi godinat e institucioneve shtetërore me flakadanë dhe bojë, ndërsa kanë shkatërruar dhe shkelur çdo gjë që u ka dalë para.
Siç shihet edhe nga fotot ata kanë shkatërruar edhe gjithë rrethimin e firmës që po bënë ndërtimin e lulishtes pas monumentit të Skënderbeut, ndërsa platformat e hekurta i kanë përdorur edhe si masë për të goditur policinë dhe për të mësyrë në Ministrinë e Brendshme.






















