Një makinë e policisë së Kosovës është sulmuar me lëndë shpërthyese në veri të vendit. Sipas policisë kosovare, në orët e para të mëngjesit të së shtunës kanë ndodhur dy shpërthime, me lëndë piroteknike, në Sharpej të Jarinjës.
Raportohet se shpërthimet ndodhën afër mjetit të policisë, që patrullonte për të parandaluar kontrabandën në atë zonë.
Sipas bluve të Kosovës, dyshohet se lëndët pirotenike janë hedhur nga territori i Serbisë.
“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike).
Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, njoftoi policia.
Informacioni i plotë:
Vetura e policisë sulmohet me mjete shpërthyese, dyshohet të jenë mjete piroteknike
Prishtinë, më 16 prill 2022
Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike). Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave.
Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale. Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë./m.j













