Një adoleshente, influencer, festoi në mënyrë ekstravagante ditëlindjen e 18, pasi tashmë është një princeshë dhe trashëgimtarja e parë femër e fronit të Italisë në 1000 vite.
Princesha Vittoria e Savojës, e lindur më 28 dhjetor 2003, është vajza e madhe e Princit Emmanuele Filiberto dhe aktores franceze Clotilde Courau. Gjatë vitit 2021, gjyshi i saj, Princi Vittorio Emmanuele, djali i Mbretit të fundit të Italisë, shfuqizoi me një dekret mbretëror të drejtën për trashëgimin e fronit vetëm nga meshkujt.
Familja mbretërore e Savojave ekziston prej 1000 vitesh dhe në të gjithë rastet dinastia është vijuar nga trashëgimtarët meshkuj. Por duke qenë se Emmanuele Filiberto ka vetëm dy vajza, babai i tij vendosi të ndryshojë rregullat.
Por vendimi nuk u prit mirë nga kushëriri i Vittorio-s, Princi Amione di Savoia Aosta, i cili ka dy djem, 12 dhe 10 vjeç, që do të trashëgonin fronin nëse nuk do të ndryshoheshin rregullat. Ai e ka quajtur të paligjshëm vendimin, por Filiberto tha se kushërinjtë e tij kanë 150 vite që duan të marrin fronin.
Monarkia u shfuqizua në Itali në vitin 1946, kur Umberto II ishte në fron. Familja mbretërore u detyrua të shkonte në ekzil, për shkak se u akuzua si bashkëpunëtore e fashizmit, ndërsa italianët zgjodhën që të krijonin Republikën.
Por Filiberto ka deklaruar më parë që po mendon të futet në politikë dhe të krijojë një parti që do të mbështesë rikthimin e monarkisë. Në një intervistë në muajin maj për “New York Times”, Vittoria tha se ndryshimi i rregullit ishte dhurata më e mirë që gjyshi mund t’i kishte bërë.
E pyetur nëse ishte e gatshme të bëhej mbretëreshë, apo kreu i familjes, adoleshentja tha: “Italia nuk është një vend shumë progresiv, por do të mësojnë”.