Melania Trump dhe i biri, Barron, më në fund janë zhvendosur në Shtëpinë e Bardhë, 5 muaj pasi Donald Trump mori çelësat e Zyrës Ovale.
Zonja e Parë dhe djali 11-vjeçar i çiftit kanë qëndruar përgjatë kësaj periudhe në Nju Jork, në mënyrë që Barron të përfundonte shkollën.
Vendimi u pa atëherë si mjaft i çuditshëm, duke qenë se Melania po kthehej në të parën bashkëshorte të presidentit në vite, që nuk qëndronte në krah të të shoqit në shtëpinë më të famshme të botës.
Paraardhësja e saj, Michelle Obama ishte transferuar në Uashington edhe më shpejt madje, në mënyrë që vajzat të sistemoheshin në shkollën e re.
Lëvizja e Melanias do të përshëndetet padyshim nga njujorkezët, të cilet duhet të paguajnë një faturë të majme për ta mbajtur familjen e presidentit të sigurtë në kullën “Trump”.
Sllovenja 47-vjeçare e ka treguar që në fillim natyrën e saj të rezervuar. Në dy muajt e parë pas betimit të presidentit të ri, ajo zgjodhi t’i qëndronte larg vëmendjes publike dhe vetëm në mars vendosi të mbante një fjalim në ceremonitë e ndarjes së çmimit “Gruaja e guximshme”, të organizuar çdo vit nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Ekspertët e interpretuan praninë e saj në këtë aktivitet si sinjalin e dëshirës për të marrë mbi vete detyra ceremoniale në të ardhmen./a.ç