Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, njëherësh zv.Kryeministrja Belinda Balluku ka mbërritur pak çaste më parë në Kryeministri.
Sipas informacioneve siguruar nga gazetarja Denada Shkodrani, mësohet se kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot qeverinë, ku e pranishme është dhe Balluku.
Kujtojmë se Këshilli për Rregulloren Imunitetin dhe Mandatet do të shqyrtojë sot kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e zëvendëskryeministres.
Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të lindte në fuqi masën e sigurisë ndalim i daljes jashtë shtetit për zv.kryeministren, teksa pezulloi shqyrtimin e masës tjetër, atë të pezullimit nga detyra.
Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, njëherësh zv.Kryeministrja kërkoi nga Apeli i GJKKO heqjen e masave të sigurisë të vendosura ndaj saj, pezullimin nga detyra si dhe masën e ndalimit të daljes jashtë vendit, të dhëna nga shkalla e parë.
Kujtojmë se më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mori një vendim të ndërmjetëm, duke pezulluar efektet e vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Tri ditë më parë Prokuroria e Posaçme (SPAK) i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, e zgjedhur deputete në qarkun e Fierit në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas njoftimit zyrtar, Balluku është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.











