Godina Nr. 15 në “Qytetin Studenti” paraqitet në gjendje tejet të degraduar, aq sa mund të vërë nga dita në ditë në rrezik jetën e banorëve që e kanë uzurpuar atë. Gjatë viteve të tranzicionit në vend të studentëve, në këtë godinë u strehuan disa familje që në mënyrë të jashtëligjshme kryen edhe ndërhyrje duke i përshtatur ambientet në formë banese.
Për shkak edhe të mungesës së mirëmbajtjes prej tyre, gjendja e saj erdhi drejt përkeqësimit. Ndërkohë, dy tërmetet e fuqishme, 21 shtatorit dhe ai i 26 nëntorit e kanë nxjerrë tërësisht jashtë funksioni.
Madje, ekspertët nga Instituti i Ndërtimit e kanë klasifikuar atë si të pabanueshme dhe kanë kërkuar evakuimin e banorëve. Sikurse mund të shihni edhe nga kjo foto e publikuar nga Jeta Osh Qejf, në godinën Nr.15 ku jetojnë familje, ka mbirë edhe pema e fikut në murin e katit të dytë.
Nga ana tjetër, mësohet se Bashkia e Tiranës u ka kërkuar banorëve që të zhvendosen në banesa me qira, në kushte shumë herë më të mira, duke marrë përsipër mbulimin e pagesës në vlerën 100 për qind të saj për një vit, gjer në zgjidhjen e çështjes së strehimit. /e.s/











