Sezoni i monitorimit dimër-pranverë 2017 me anë të kamerave-kurth vazhdon të na surprizojë, duke nxjerrë në pah bukurinë dhe larmishmërinë e jetës së egër në vend, veçanërisht të Malit të Munellës dhe malësisë Pukë-Mirditë. Ky sezon shënon vitin e 9-të të monitorimit të jetës së egër në vend të kryer nga shoqata PPNEA.
Edhe në këtë sezon lloji më fotozhenik në kolazhin e fotografive është rrëqebulli i Ballkanit, një specie simbol për vendin dhe kyc për mbrojtjen e trashgimisë natyrore dhe ekosistemit në të gjithë Ballkanin jugperëndimor. Fotografimi i rrëqebullit vazhdon të vërtetojë mbijetesën e popullatës të këtij lloji por gjithashtu është edhe një dëshmi për biodiversitetin e pasur të rajonit Pukë-Mirditë. Në të njëjtën kohë është një thirrje e fuqishme për institucionet përgjegjëse që të shpallin rajonin e Munellës si një zonë të mbrojtur sa më parë, pasi pa mbrojtje të Munellës nuk ka mbijetesë të rrëqebullit.
Përpos rrëqebullit, kamerat-kurth kanë fotografuar lloje të tjera të rëndësishme të faunës shqiptare si ariu i murmë (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), derri i egër (Sus scrofa), kaprolli (Capreolus capreolus) etj./javanews.al
/al.çu