Mijëra banorë të fshatrave të njësisë administrative Pojan në bashkinë e Maliqit dhe në atë të Pustecit, do ta kenë më të lehtë lëvizjen e tyre drejt aksit nacional Korçë-Bilisht-Kapshticë.
Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës përfunduan ndërtimin e një ure tip “Mabey-Johnson” mbi lumin Devoll pranë fshatit Zëmblak.
Në përfundimin e punimeve të kësaj ure ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri i FSK-së Burim Ramadani, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, përfaqësues të pushtetit vendor si dhe shumë banorë të zonës.
Ministrja e Mbrojtjes falënderoi ndihmën dhe kontributin e ofruar nga FSK-ja për ndërtimin e kësaj ure si dhe vuri në dukje rëndësinë që kjo urë ka, jo vetëm për banorët e zonës, por edhe më tej.
“Dua ta nis me një vlerësim të jashtëzakonshëm për FSK, por edhe për qeverinë e Kosovës që në fakt na u përgjigj që në minutat e para të emergjencës së dhjetorit dhe është krahë nesh sot në përballimin e e pasojave të asaj emergjence. Ky kontribut sot këtu për hir të së vërtetës nuk është aspak i vogël, është një urë 54m, e konsiderueshme edhe në ndërtimin teknik të saj edhe në funksionin teknik të saj por edhe si kontribut i qeverisë së Kosovës dhe i FSK për këtë zonë që përmes ndërtimit të kësaj ure keni lehtësuar komunikimin e 32 mijë banorëve me qendrat shëndetësore, me shkollat, me lëvizjen e lirë edhe komunikimin me akset kryesore rrugore që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për jetën dhe për përditshmërinë e kujtdo. 32 mijë banorë, të cilët u kemi ardhur në ndihmë, nuk janë pak.”- u shpreh ministrja, e cila evokoi vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës për transformimin e FSK, si dhe u shpreh e lumtur që 10 – vjetori i Pavarësisë së Kosovës i gjen FA shqiptare dhe FSK bashkë, duke i ardhur në ndihmë komunitetit.
“Unë kam një falenderim nga zemra për ju dhe jo thjesht për faktin që jeni vëllai i mirë që na gjendeni në ditë të mira dhe të vështira dhe kjo është reciproke, por edhe për faktin që jeni tanimë një partner i besueshëm jo vetëm për ne, por edhe për gjithë rajonin dhe ne jemi krah jush dhe do ju mbështesim hap pas hapi, së pari në transformimin e FSK në një Forcë të Armatosur dhe pastaj në rrugën e natyrshme drejt integrimit Euro Atlantik të Kosovës. Edhe njëherë jam shumë i lumtur që ky 10 vjetor i Pavarësisë Kosovës na gjen bashkë duke ndërtuar ura me frymën më të mirë të bashkëpunimit dhe duke ju ardhur në ndihmë qytetarëve tanë. Faleminderit qytetarët, jo vetëm të Zëmblakut por të gjithë zonës këtu të bashkisë së Pustecit dhe të fshatrave rrotull. Ta gëzojnë këtë urë. Dua t’i them ju lumshin duart të gjithë efektivëve ushtarakë të FSK që morën pjesë në ndërtimin e urës dhe shpresoj shumë që nga ky moment kjo të mos njihet më si ura e Zëmblakut por si ura e Kosovës me kontributin e ushtarakëve të FSK.”
Nga ana e tij, zëvendësministri i FSK-së Burim Ramadani vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës, jo vetëm në këtë rast, por në të gjitha fushat.”Ne prej Kosovës e kemi për krenari me marrë ndihmën e Shqipërisë po ashtu edhe për të ofruar ndihmën për Shqipërinë dhe për gjithë të tjerët në përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë sonë dhe bashkëpunimit që është shembull jo vetëm në këtë fushë por në të gjithë fushat. Sigurisht shpresojmë që gjendje emergjente të ketë sa më rrallë dhe sa më pak dhe uroj që bashkëpunimi të vazhdojë sa më shumë.”
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënat Rrahman Rama solli në vëmendje ndihmën dhe mbështetjen e ofruar vazhdimisht nga Shqipëria për Republikën e Kosovës dhe uroi sa më pak probleme të tilla. “Është nder edhe kënaqësi për neve që kemi mundësi, me këto kapacitete që kemi që t’ju dalim në ndihmë këtyre qytetarëve dhe këtij komuniteti që ta kenë lëvizjen e lire por edhe t’ju lehtësohet jeta. Ne këto mundësi të vogla që kemi pas, nuk krahasohen me përkrahjen që kemi pas nga shteti shqiptar nga autoritet shqiptare edhe në kohëra më të vështira, por shpresojmë që mos të kemi nevojë më për këto gjëra.”
Veç banorëve të fshatrave të njësisë administrative Pojan dhe bashkisë së Pustecit që kalojnë përditë mbi këtë urë, ndërtimi i kësaj vepre u shërben gjithashtu edhe shumë banorëve të bashkive të Korçës dhe Devollit. Gjithashtu, kjo urë lehtëson edhe lëvizjen e turistëve që duan të vizitojnë liqenet e Prespës.
Ura e sapondërtuar në afërsi të fshatit Zëmblak ka një gjatësi prej rreth 54 m dhe mund të mbajë deri në 40 ton./a.ç