Jetmir Buçpapa, i burgosur për grabitjen më të madhe të parave të ndodhur ndonjëherë në Britani, kërkon të vuajë dënimin në burgjet shqiptare. Por, qeveria britanike, është duke u përpjekur të ndalojë këtë lëvizje, me frikën se njeriu i cilësuar si “truri” i grabitjes së shekullit në Britani, mund të fusë në dorë paratë që ende nuk janë gjetur pas grabitjes, raporton sot “Daily Mail”.
Tropojani 35-vjeçar ishte një nga katër burrat e burgosur në vitin 2008 për grabitjen famëkeqe të 53 milionë £, në depot e “Securitas”, në Tonbridge, Kent. Ky ambient shërbente si magazinë parash kesh për të furnizuar sportelet e bankave dhe automatet ATM të shpërndarjes së parave.Pas grabitjes së bankës qendrore të Irakut gjatë bombardimeve në vitin 2003, kjo në Angli shënoi grabitjen më të madhe të parave (KESH) të ndodhur ndonjëherë në Histori.
Bucpapa u burgos për 30 vjet, por deri më tani 30 milionë paund, nga paratë e vjedhura, ende nuk janë gjetur.
Buçpepaj, tashmë po lufton në Gjykatën e Lartë për t’u transferuar në një burg shqiptar me argumentin: për të qenë më pranë familjes së tij, raporton prestigjiozja britanike.
Duke refuzuar kërkesën e tij, Sekretarja britanike e Drejtësisë, Liz Truss, tha se në Shqipëri ai mund të dilte nga burgu për rreth katër vite pas hekurave dhe se paratë që nuk janë gjetur ende, justifikojnë mbajtjen e tij në një burg britanik.
Buçpapa ishte pjesë e një bande që kreu një grabitje të madhe dhe jo të gjithë u kapën, tha avokati i qeverisë britanike, Christopher Knight.
Shqiptari aplikoi të njëjtën lëvizje edhe vitin e shkuar, por vendimi u refuzua dhe tashmë ai po lufton në Gjykatën e Lartë.
Avokatët e tij thonë se refuzimi është i gabuar, sepse nuk është në përputhje me çdo rast tjetër që përfshin një të burgosur shqiptar që dëshiron të shkojë në shtëpi. Nga 17 raste të mëparshme, disa prej tyre vrasës brutalë, asnjërit nuk i është refuzuar transferimi në një burg shqiptar, tha Philip Havers QC.
Vendimi për transferimin e dënimit të Buçpapës në Shqipëri, do të jepet në një moment të dytë.
Grabitja e bandës shqiptaro-angleze
Banditët, të maskuar si policë anglezë, morën peng menaxherin e “Securitas Depot” në Ton Brixh, distrikti i Kentit, zotin Dikson (52 vjeç) dhe familjen e tij. “Securitas Depot” shërbente si magazinë parash kesh për të furnizuar sportelet e bankave dhe automatet ATM të shpërndarjes së parave. Në këtë depo gjendej një sasi prej 203 milionë stërlinash para të thata. Duke përdorur drejtorin Dikson tashmë peng të tyre, banda dhe të maskuar si policë, hynë në depon super të sigurt. Hajdutët ishin të armatosur me pistoleta, shotganë dhe kallashnikov model ASH 82, prodhim shqiptar. Ata neutralizuan 14 rojat e armatosura të depozitës. Ndonëse e mbushën plot një kamion “Renault”, një veturë “Volvo” dhe një “Vectra”, banditët arritën të merrnin vetëm 53 milionë stërlina duke lënë në depo 150 milionë stërlina të tjera, sepse kamioni kishte kapacitet vetëm 7,5 tonë.
Për të ngarkuar automjetet, hajdutët përdorën karroca supermarketi dhe një lefterak me kapacitet të vogël. Shqiptarët kishin role kyçe në organizimin e vjedhjes së shekullit. Ermir Hysenaj, i punësuar në “Securitas Depot”, e ndihmoi bandën me filmime dhe skica të mjediseve të depos, ku ruheshin paratë, si edhe me të dhëna të tjera për sistemet e sigurisë, të mbrojtjes dhe të dhënies së alarmit në rast vjedhjeje. Informacioni i tij për muret rrethuese 4 metra të larta, për pengesat me tel me gjemba, për grilat dhe pengesat kundër-makinë me çelik special me lidhje titani si edhe për sistemin e kamerave me qark të mbyllur, kishin shumë rëndësi për realizimin me sukses të grabitjes.
Goditja e shekullit u planifikua deri në detajet më të imta për gjatë një periudhe prej 18 muajsh. Tropojani Jetmir Buçpapa, mori pjesë aktive në grabitjen me armë. Madje, kur policia angleze tentoi të ndalonte “Volkswagen-in Bitells”, ku ishin ngarkuar 1,3 milion stërlina nga totali i 53 milionë stërlinave të vjedhura, ai u përpoq të ikte. Forcat speciale të policisë angleze e ndaluan makinën vetëm pasi shpuan gomat me breshëri plumbash. Pas shumë kërkimesh thuajse të gjithë pjesëtarët e bandës u kapën nga policia angleze, por jo të gjithë. U gjetën miliona stërlina në vende të ndryshme si makina, shtëpi, garazhe, parukeri etj., të përdorura nga banditët si vende të sigurta strehimi. /Syri.net/ma.me