“Më vjen mirë që sot fillojmë parkun urban të Laprakës. Ka qenë një zonë totalisht e djerrë, si një kosh hedhurinash, ndërsa sot po nisim një park urban, i cili do u shërbejë mijëra banorëve që jetojnë në pallatet e reja, por edhe në pjesët që janë të zhvilluara rishtaz nga banorët e ardhur në vitet ’90. Do të jetë një ambient fantastik për ata që do kenë mundësi të kalojnë kohën e tyre të lirë. Jo të gjithë e kanë mundësinë apo kohën të shkojnë tek liqeni apo në parqet e mëdha, si Kashari, Farka, që po pyllëzojmë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranes shtoi se krijimi i këtij parku do të rrisë edhe vlerën e pronës së qytetarëve. Duke u ndalur në Planin e Përgjithshëm Vendor që pritet të miratohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në datë 29 dhjetor, Veliaj tha se ky projekt është diskutuar gjerësisht, pasi u zhvilluan mbi 30 dëgjesa me qytetare, eksperte, urbaniste e arkitekte.
“Kemi pasur mbi 30 dëgjesa, jo vetëm në 24 njësitë, jo vetëm me shoqatën e arkitektëve, grupet e biznesit, këshilltarët e Këshillit Bashkiak, por ia kemi bërë këtë ftesë shoqërisë civile e kujtdo. E di që ditët e fundit janë kujtuar disa njerëz që pas një viti diskutimesh për planin urbanistik duhet të pyesim edhe disa ekspertë të baltës. Për të gjithë ekspertët e baltës, unë u them: Kishit një vit kohë për të na thënë gjithë opinionet që kishit, por nëse hidhni baltë, kam vetëm një rekomandim: Më mirë merrni një lopatë dhe mbillni një pemë sepse është më e dobishme për qytetin se sa rendja banak më banak për të hedhur baltë”, tha ai.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se ambicia e Bashkisë së Tiranës është që në 15 vitet e ardhshme të mbillen 2 milionë pemë të reja.
“Sikur të gjithë ekspertët e baltës të kishin mbjellë nga një pemë për çdo shpifje e cifël balte që hedhin mbi Bashkinë e Tiranës, do i kishim ato 2 milionë pemë. Fjalët e tepërta janë fukarallëk. Kush do të kontribuojë, ka lopatë, pemë. Kush do që ta gjelbërojë Tiranën e të ndihmojë konkretisht, le ta bëjë konkretisht! Baltosja e Bashkisë, punëtorëve të qytetit që punojnë çdo ditë për Tiranën e ëndrrave tona, nuk është mënyra për të ecur përpara. Jemi një Bashki që jemi fokusuar te puna dhe jo gallata. Mjeshtrat e llafeve të vazhdojnë nëpër studio, mjeshtrat e punës do të vazhdojnë në terren”, tha Veliaj.
Drejtoresha e Politikave dhe Edukimit Mjedisor në Bashkinë e Tiranës, Diana Mile, tha se ky park nuk do të jetë i vetëm, por do të pasohet edhe me të tjerë në zonat periferike të kryeqytetit. “Këto parqe mendohen të jenë në periferi në zonat më të urbanizuara dhe që e kanë shumë të nevojshëm pastrimin e ajrit, por njëkohësisht edhe sistemimin e hapësirave dhe të vendeve çlodhëse për banorët”, tha Mile. /ma.me