Gazetarët e televizionit rus “Russia Today” kanë ndjekur nga afër përgatitjet për festen e Krishtlindjes në qytetin e shkatërruar nga lufta, Aleppo. Sipas televizionit rus, këtë vit shumë banore të Aleppos që i përkasin besimit të krishterë, po festojnë lindjen e Krishtit për herë të parë që pas nisjes së luftës. Gazetarja britanike e televizionit rus, Lizzie Phelan, e cila njihet si një korrespondente lufte në zona të ndryshme me konflikte, ka biseduar edhe me banorët e Aleppos.
“Nuk e prisnim që ky moment të vinte. Kemi kaluar katër vite me dhimbje, luftë dhe gjak. Jemi shumë të lumtur që mund të festojmë sërish lindjen e Krishtit. Aleppo na është kthyer sërish. Ky është Atdheu ynë”, thonë banorët.
Por shumë banorë të qytetit sidoqoftë po vajtojnë, pasi Krishtlindjet i gjejnë pa të afërmit e tyre. Për adoleshenten Reem këto janë Krishtlindjet e dyta pa motrën e saj më të madhe, e cila ishte vrarë me snajper. Shumë nga ata që kanë vuajtur pasojat e luftës janë fëmijët, të cilët tashme jetojnë në jetimore, pasi kanë humbur të gjithë të afërmit e tyre. Shumë prej këtyre jetimoreve janë ndërtuar nga Kisha Ortodokse armene.