Gazetarja Iva Tiço ka folur së fundmi për jetën e saj private, duke rrëfyer detaje nga marrëdhënia që ka prej dy vitesh me një gjerman. Ajo zbuloi se komunikon në tre gjuhë me partnerin: shqip, anglisht dhe gjermanisht.
“Flasim në shqip, në anglisht, në shqip-anglisht, i fus një fjalë gjermanisht. I them ‘Give me the ‘gota’ over there’. Zihemi duke bërtitur, që është edhe gjuhë ndërkombëtare, dhe me gjuhën e shenjave. Ai zihet në anglisht dhe unë aty nxehem më shumë se ai i gjen fjalët, ndërsa unë jo, në asnjë gjuhë. Ai më thotë në shqip ‘më dëgjo ti mua’.’,- tregoi Iva gjatë intervistës për “Natën me Aulonën”.
Por si është marrëdhënia me një partner të huaj? Iva tha:
“Vjen në fillim me një sërë paragjykimesh, një ndër të cilët ishte që janë të ftohtë. Gjermanët janë të organizuar dhe ta çajnë ndonjëherë me këtë organizimin e tyre, sepse e kanë si organizim ushtrie. Për shembull, nuk e kupton atë që unë nga ‘do ikim’ deri te ikja mund të më marrë një orë, ndërsa ai çohet e vishet dhe del te dera.
Dhe unë i them ‘nuk jemi në ushtri që të jem te dera në sekondë’. Jam përshtatur. Dukem natyrë kapriçoze, por jam natyrë që hap shumë rrugë. Përshtatem në një mënyrë që as unë nuk e njoh veten apo njerëzit që kam afër më thonë ‘Akoma nuk ke plasur?’. Por e di që nuk do plas asnjëherë, sepse jam shumë tolerante dhe e kam shumë për zemër këtë marrëdhënie dhe nuk do bëj asgjë për ta prishur, përveçse për ta mbajtur mirë”.
Tiço nuk la pa përmendur edhe momentin kur ka takuar për herë të parë vjehrrën edhe vjehrrin.
“Ishte një skenë që mu duk deja vu, jo se kisha qenë më parë në një shtëpi gjermani, por ishte si e dalë nga filmi ‘Martesa Ime e madhe Greke’. Por ishte i njëjti çift, një zonjë me flokë të verdha dhe një burrë shumë të sjellshëm që vetëm të buzëqeshin. Kur erdha në Shqipëri, më pyetën shoqet ‘Si të pritën?’.
I thashë ‘Po ta marrim me kriteret shqiptare më pritën mizërie, po ta marrim me kriteret e mia, më pritën shumë mirë. Më thanë ‘Cilët janë kriteret shqiptare?’. I thashë ‘Po nuk më pyetën sa fëmijë jeni, ça diference ke më vëllain, ku të kanë punuar prindërit?’.
Për prindërit s’më kanë pyetur akoma, këto të tjerat pastaj, më kanë njohur pak nga pak. Nuk e dinë akoma sa e kam rrogën. Nuk fusin hundët dhe kjo nuk është ftohtësi, por një lloj edukate, Janë si çdo prind në botë, që dinë dhe ndajnë çdo gjë me ne dhe ne ndajmë dhe dimë çdo gjë me ta. Kemi komunikim të vazhdueshëm dhe pothuajse të përditshëm.
Ishte dhe ajo (takimi i mamit të Ivës me partnerin e saj) një skenë tipike shqiptare, unë po ankohesha që po më dhimbtë shpina, se kam atë problemin e hernies dhe mami tha ‘Jo, Iva nuk ka asnjë sëmundje’. Të dyja familjet nuk më kanë dalë nga skema”.
Pas dy vitesh bashkë, a planifikojnë të martohen së shpejti? Edhe për këtë Iva e ka një përgjigje:
“Prindërit nuk e dinë akoma që ne do martohemi. Besoj se ka një plan, nuk më ka dhënë akoma njeri unazë, por kjo nuk më pengon të bëj plane dhe të gjej fustane nuseje.
Tani kam filluar t’i provoj seriozisht sado që mund të ngelem dhe për ca kohë pa planin konkret, sepse nuk më ka dhënë askush një unazë dhe nuk më ka propozuar askush. Kur i them ‘Do më japësh unazë?’, më thotë ‘Ndoshta’.
Sigurinë ma ka dhënë që në ditën e parë, se e kuptuam që ishim dhe do të ishim gjithmonë për njëri-tjetrin. Këtë e bën, sepse mendoj që kur ta bëjë këtë gjë do jetë një moment shumë special.
I kam kontrolluar xhepat, kam pritur të kishte unazë e kështu gjërash kur më kanë ardh sinjalet që kishte kaluar në x argjendari, por nuk kam gjetur asnjë unazë. Kur e pyes ‘A do martohemi?’, më thotë ‘Me shumë mundësi, po!’. Kam unazën e fejesës së gjyshes, ai ka unazën e martesës së gjyshes”.
Iva pranoi se ka qenë edhe te psikologu për një periudhë kohe kur nuk ndihej mirë me veten, por tashmë çdo gjë ka kaluar.
“Kam qenë te psikologu dhe e kam thënë në Instagram që është një ndër gjërat dhe investimet më të mira që kam bërë në jetë. Kam shkuar në një moment që në dukje unë nuk kisha asnjë hall, isha shumë mirë, kisha një punë shumë të mirë…
Pa asnjë problem personal dhe në atë moment kam marrë vendimin të shkoj të psikologu. Në fillim kisha vetëm problemin e mungesës së menaxhimit të kohës për të bërë gjërat që doja, u nisa me këtë ide, që s’kam problem tjetër, por gjatë rrugës zbulova që dhe unë kam problemet e mia shumë të mëdha njëra prej të cilave është marrëdhënia që kam me humbjet, me vdekjet. Më ka ardhur si pasojë e vdekjes së babit”, – tha Iva, e cila shtoi se aktualisht i ka ndërprerë seancat tek psikologu”.
/b.h