Tableta droge me vlerë 7 mln euro janë kapur nga policia greke në portin e Igumenicës.
Në pranga ka përfunduar një 31 vjeçar bullgar, në makinën e të cilit është gjetur sasia e drogës.
Lënda narkotike dyshohet të jetë transportuar nga Turqia me destinacion përfundimtar Italinë.
Mediat greke bëjnë me dije se lënda narkotike ishte fshehur në një makinë luksoze. Brenda një pajisje të posaçme (siç shihet në foto) ishin vendosur 369.545 tableta lënde narkotike në formën e ilaçeve.
Sasia e drogës është zbuluar mbrëmjen e së shtunës në një BMW luksoze të zezë.
Pas arrestimit të shtetasit bullgar, policia greke po punon për të zbuluar lidhjet e shtetasit bullgar me tregtarët e drogës në Greqi.