Militantët pro Iranit kanë mësyrë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad, në përpjekje për t’u futur brenda, ndërsa marinsat amerikanë të dislokuar aty janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës.
Protesta e dhunshme nisi si kundërpërgjigje për sulmet amerikane në territorin irakian ndaj grupimit Kataeb Hezbollah që mbështetet nga Irani.
Për të mbajtur sa më gjatë rrethimin e kompleksit të godinave, protestuesit kanë instaluar skara për gatime dhe tualete publikë.
Dje, militantët e mbështetur nga Irani u tërhoqën nga kompleksi i Ambasadës së SHBA, pas dy ditësh përleshjesh me forcat amerikane të sigurisë.
Por tensionet SHBA-Irani mbeten të larta dhe mund të shkaktojnë dhunë të mëtejshme.
SHBA ka dërguar qindra parashutistë në Kuvajt dhe është duke bërë gati mijëra trupa të tjerë ushtarakë, për t’i dërguar në kufi me Iranin, si kundërpërgjigjie të sulmeve ndaj Ambasadës amerikane.
Në një postim në Twitter të martën, presidenti amerikan Donald Trump akuzoi Iranin se ka orkestruar këtë mësymje.
“Irani do të mbajë përgjegjësi të plotë për jetët e humbura apo dëmet e shkaktuara në kompleksin tonë. Do ta paguajë shtrenjtë. Ky nuk është një paralajmërim, por kërcënim”, shkroi Trump.
Nuk vonoi edhe përgjigja e liderit suprem të Republikës Islamike, Ajatollahut Ali Khamenei, i cili tha në një fjalim televiziv se vendi i tij ishte gati t’i kundërvihej kërcënimeve amerikane.
Ai dënoi gjithashtu sulmin amerikan, ndërsa më pas ngriti tonet në një postim në Twitter:
“Së pari, nuk mund të bësh asgjë prej gjëja. Së dyti, njerëzit e kësaj zone e urrejnë Amerikën, pse nuk e kuptoni këtë?”.
Ministri i Mbrojtjes, Mark Esper, përmes një komunikate për shtyp, bëri me dije se Pentagoni vendosi të dislokojë 750 ushtarë në Lindjen e Mesme, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të dhunshëm në Ambasadën e SHBA në Irak.
Esper shpjegoi se trupat që do të dislokohen janë një batalion i Forcës së Reagimit të Shpejtë (IRF) nga Divizioni i 82-të Airborn.
Përveç këtyre ushtarëve që u dërguan menjëherë, të tjerë trupa do t’iu bashkohen në ditët e ardhshme.
Protestat e dhunshme ndaj Ambasadës së SHBA në Bagdad erdhën pasi avionët amerikanë, ditë më parë, bombarduan bazat e militantëve të mbështetur nga Irani, ku u vranë 25 persona.



















g.kosovari











