Aktivistët e të drejtave të njeriut, kanë ndërmarrë një aksion gjatë mbrëmjes së djeshme, për vendosjen e disa sloganeve kundër dhunës, në ndërtesa të ndryshme të Tiranës.
Në ditën e Shën Valentinit, kryeqyteti është mbushur me këto slogane, për të sensibilizuar gratë dhe të gjithë shoqërinë, se dashuria e vërtetë nuk dhunon dhe vret.
Aktivistët i kanë shoqëruar fotografitë e këtyre sloganeve me këtë tekst:
“Gjatë gjithë vitit gratë dëgjojnë t’u thuhet: Kush të rreh të do!
Gjatë gjithë vitit, gratë dëgjojnë t’u thuhet: Fati i gruas janë lotët!
Gjatë gjithë vitit, gratë dëgjojnë t’u thuhet: “Grueja asht shakull për me bajtë”.
Ndërkohë çdo 14 shkurt, gratë shqiptare dëgjojnë t’u thuhet sa shumë i duan burrat i tyre, ato marrin dhurata, lule dhe çokollata.
Afërsisht çdo dy javë gratë vriten prej burrave të tyre me thika, sëpata dhe plumba.
Por dashuria e vërtetë nuk vret! Krimi i pasionit është thjesht krim! Pasioni nuk rreh, as vret!
Kush dashuron nuk ngre dorë ndaj njeriut që do! Kush të rreh NUK të do!
Prandaj Dashuro, Mos Vrit!”/a.ç