FOTO/ Brenda Hotel Dajtit, godina që u ble për 30 mln euro
Çdo njëri nga ne kalon pothuajse një herë në ditë para Hotel Dajtit, por askush nuk e di se çfarë fshihet pas mureve të fasadës së rrënuar dhe një polici që e ruan.
Ish Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani (tani nën hetime) në vitin 2010 e bleu nga qeveria shqiptare, në atë kohë e drejtuar nga Sali Berisha, për 30 milionë euro.
Fullani e bleu me pretendimin se do bëhej godina e Bankës së Shqipërisë, por shikoni se në çfarë gjendje është katandisur. Nga hetimet e prokurorisë për këtë rast, rezulton se Këshilli Mbikqyrës i ka marrë vendim për blerje, një muaj pasi qeveria nga ana e saj kishte nxjerrë vendimin se ish-hoteli në qendër të kryeqytetit do t’i shitej pikërisht Bankës për 30 milion euro.
Sipas prokurorëve procedurat e prokurimit nga ana e Bankës kanë qenë thjesht formale, “për sa kohë që të gjitha këto procedura të nisura me vendimin e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë datë 16.06.2010, datojnë ditë më vonë se Keshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-Hotel Dajtit pikërisht Bankës së Shqipërisë dhe duke caktuar dhe vlerën për shitjen e kësaj pasurie të paluajtshme”.
Nga hetimet rezulton se Banka nuk ka bërë asnjë vlerësim të objektit që po blinte. “Vlerësimi i ish –Hotel Dajtit , së pari është kryer nga ekspertë të kontaktuar dhe caktuar nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikes, duke mos u kryer asnjë vlerësim nga blerësi Banka e Shqiperise, përfaqësuar nga personi nën hetim dhe se ky vlerësim është bërë me metoden e fitimit, duke përllogaritur vlerën e pasurisë si një hotel, në një kohë që ndërtesa nuk do të përdorej nga blerësi si hotel”, shkruhet në dosjen që është dorëzuar në Gjykatë.
(Fotot nga Bledi Mane)















