Detaje të reja dalin në dritë nga hetimet për atentatin me tritol në Gjirokastër, ku humbi jetën Beqir Devolli (foto kryesore), ndërsa mbeti i plagosur edhe Erigers Mela.
Dyshimet paraprake janë se lënda plasëse e vendosur në automjet mund të jetë aktivizuar në distancë përmes një telefoni.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në bulevardin “18 Shtatori”, pranë institucioneve të drejtësisë dhe Policisë së Gjirokastrës, kur automjeti tip “Benz” shpërtheu në lëvizje.
Beqir Devolli, i cili drejtonte makinën, ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, Erigers Mela, i cili ndodhej në automjet, mbeti i plagosur, por raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Devolli nuk kishte raportuar konflikte të hapura. Ai rezulton të jetë dënuar në vitin 2012 për transport të paligjshëm të emigrantëve, informon TCH.
Familja e tij ka banesën në një fshat të qarkut të Gjirokastrës, ndërsa vetë Devolli e kalonte pjesën më të madhe të kohës në Tiranë.
Mbetet ende për t’u përcaktuar zyrtarisht motivi i atentatit, mekanizmi i aktivizimit të lëndës plasëse dhe personat përgjegjës për vendosjen e saj. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të shpërthimit dhe identifikimin e autorëve.
Viktima Beqir Devolli, i cili ndodhej në drejtimin e automjetit tip “Benz” në momentin kur makina u përfshi nga shpërthimi. Ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në ambulancë, gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Nga shpërthimi mbeti i plagosur edhe një 26-vjeçar Erigers Mela, i cili sipas të dhënave paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet janë përqendruar te rrethanat e ngjarjes dhe identifikimi i personave që mund të fshihen pas saj. Dyshimet paraprake janë se objektiv i mundshëm i atentatit mund të ketë qenë Mela.
Një nga pistat që po shqyrtojnë hetuesit lidhet edhe me një ngjarje të mëparshme, pasi në vitin 2025 automjetit të Melës i ishte vënë zjarri. Mbetet për t’u verifikuar nëse dy episodet kanë lidhje me njëri-tjetrin.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e motiveve të mundshme të sulmit.
Njoftimi i policisë:
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shpërthimin e një automjeti tip “Benz” në lëvizje, që dyshohet se është shkaktuar nga lëndë plasëse, me pasojë dëmtimin e drejtuesit dhe pasagjerit, ju informojmë se drejtuesi i automjetit, shtetasi B. D., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës.
Pasagjeri, shtetasi E. M., 26 vjeç, banues në Gjirokastër, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në informacionin paraprak, ai ishte identifikuar me inicialet R. M.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”.

