Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur sot vetë si çdo qytetar me qëndrim të përhershëm në Shqipëri mes moshës 35 dhe 70 vjeç, për te përfituar nga kontrolli bazë pa pagesë i shëndetit një herë në vit. Për këtë ai është paraqitur vetë për kontroll në Qendrën Shëndetësore nr. 8 në Tiranë.
“Është viti i dytë që përfitoj nga kjo nismë e Qeverisë për të kontrolluar shëndetin #FALAS, e cila ka si qëllim të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm dhe uljen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve të kronike zakonshme dhe të rrezikshme, por që në kohën e sotme, është e mundur të parandalohen. Ky program realizohet me të njëjtën metodologji dhe cilësi shërbimi në infrastrukturën e 415 Qendrave Shëndetësore, të shtrira në të gjithë territorin e vendit. Kontrolli Shëndetësor Bazë është një program kombëtar, pa pagesë për përfituesit e tij, që synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundshmërinë më prevalente, me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore, prej të cilit, do të përfitojnë të gjithë shtetasit e grupmoshës 35-70 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë”, shkruan në FB Beqaj.
Sipas tij, nuk është kurrë vonë për t’ju drejtuar një apel për bashkëqytetarët që ende nuk e kanë përfituar nga kontrolli shëndetësor bazë pa pagesë.
“Lidhja me mjekun e familjes është thelbësore për rritjen e shkallës së besueshmërisë dhe profesionalizimit, si dhe ofrimin e një shërbimi shëndetësor dinjitoz. Zbulimi i problematikake shëndetësore në fazë të hershme, padyshim, e ul riskun e gravitetit të një sëmundjeje, e bën jetën cilësisht më të mirë dhe rrit besueshmërinë e pacientit te mjeku. Ftoj sërish të gjithë shqiptarët e kësaj grupmoshe, që një herë në vit, pa pagesë, të paraqiten në qendrën shëndetësore pranë vendbanimit të tyre dhe të kryejnë kontrollin bazë. Kontrolloni shëndetin pa pagesë! “Check-Up” ofrohet për çdo person mes moshës 35 dhe 70 vjeç pranë qendrës shëndetësore të vendbaniminit!Kontrolli Shëndetësor Bazë 35-70 vjeç parandalon sëmundje, shpëton jetë!”, thekson Beqaj.
Çfarë është kontrolli mjekësor bazë dhe përse ju shërben?
Çdo individ, sado i shëndetshëm, në një etapë të caktuar të jetës së tij (që nga mosha mesatare), është i rrezikuar nga sëmundjet si ato të zemrës dhe enëve të gjakut, goditjet në tru, diabeti, sëmundjet e veshkave, disa forma të demencës, depresioni, etj.
Sëmundjet kronike jo-të-transmetueshme, veçanërisht ato kardio-vaskulare dhe tumorale, janë shkaktarët më tëmëdhenj të vdekshmërisë në Shqipëri.Këto janë sëmundje që kanë në bazë të tyre një stil jo të shëndetshëm jetese, prandaj është thelbësore që të mund të parandalohen duke u kapur në kohë dhe duke ndikuar në edukimin shëndetësor të popullatës për një stil të shëndetshëm jetese.
Në një masë dërmuese, barra e sëmundshmërisë në Shqipëri përcaktohet nga tre faktorë madhorë të rrezikut: presioni i lartë i gjakut, konsumi i produkteve të duhanit dhe ushqyerja jo e shëndetshme.
Personat e grupmoshës 35-70 vjeç kanë rrezik më të lartë për një sërë gjëndjesh shëndetësore jo të favorshme, dhe pikërisht, këta individë do të kishin përfitimin maksimal nga zbulimi i hershëm i sëmundjes së tyre. Shfaqjen e këtyre sëmundjeve mund ta favorizojnë, gjithashtu, edhe disa faktorë të tjerë që lidhen me mënyrën e jetesës, stresin, trashëgueshmërinë familjare, etj.
Kontrolli shëndetësor për moshat 35-70 vjeç, ka si qëllim të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm dhe uljen e rrezikut së zhvillimit të këtyre sëmundjeve të zakonshme dhe të rrezikshme, por që në kohën e sotme, është e mundur të parandalohen.
Nëse jeni në moshën 35-70 vjeç, ju do të merrni njoftimin dhe disa udhëzime më postë ose telefon nga Mjeku i Familjes, lidhur me paraqitjen, për të kryer kontrollin një herë në vit, në një afat kohor të caktuar (2-3 data) brenda muajit të lindjes. Kjo do t’ju ndihmojë që të keni lehtësi proceduriale, koha e pritjes të jetë sa më e shkurtër dhe e planifikuar.
Ajo që është më e rëndësishmja, në rast se ju paraqiten probleme me shëndetin, të diagnostikoheni dhe të trajtoheni sipas të gjitha rregullave, nga Mjeku i Familjes, i cili ju mbulon me shërbimin shëndetësor të ofruar në Qendrën Shëndetësore pranë zonës ku ju banoni.
Personeli mjekësor që do të ofrojë shërbimin e Paketës së Kontrollit Mjekësor për moshën 35-70 vjeç, është profesionalisht i aftë dhe i trajnuar për të gjithë elementët. që përmban paketa e këtij shërbimi.
Gjatë kontrollit, rreziku për sëmundje do të vlerësohet nëpërmjet disa testeve të thjeshta dhe pyetjeve standart për stilin e jetës që bëni, mënyrën e ushqyerjes, dhe historinë mjekësore të familjes suaj. Do t’ju ofrohen këshilla të personalizuara dhe ndihmë për të ulur rrezikun e sëmundjeve dhe për të bërë një jetë sa më të shëndetëshme.
Këto do të përfshijnë këshilla për disa ndryshime të vogla por të rëndësishme për regjimin e ushqimit, ose çfarë aktiviteti fizik duhet të kryeni sipas gjendjes shëndetesore dhe nivelit të rrezikut që ju konstatohet.
Nëse konstatohet rrezik i nivelit të lartë, do të trajtoheni me ndihmën e duhur mjekësore, si barna që kontrollojnë presionin arterial të gjakut (tensionin), diabetin, ose sëmundjet e veshkave, të shoqeruara me udhëzimet për rënien në peshë, ose lënien e duhanit, kontrollin e pirjes së alkoolit, etj.