Nga Ilir Demaliaj
Nga hiçi, si me magji politike lindi edhe Forumi për Dialog Politik. Askush nuk e di saktësisht kush e thirri, kush e autorizoi dhe mbi ç’legjitimitet u ngrit, por si çdo nismë shqiptare, u gjet menjëherë edhe sheshi: jo Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, por ai që disa tashmë e quajnë pa asnjë vendim zyrtar “Sheshi i Adriatik Lapajt”, ose më saktë, “Shqipëria Bëhet”.
Një shesh që në dokumente nuk ekziston, por në retorikë përdoret si pronë private politike. Një hapësirë publike e riemërtuar me vetëvendosje emocionale, ku një kioskë proteste prej gati dy muajsh mundohet të bindë kalimtarët se këtu po ndodh historia. Ndërkohë, historia kalon pranë: mijëra qytetarë, makina, turistë – dhe protesta mbetet aty, herë me dy vetë, herë me tre, e në momente dramatike vetëm me një rojtar shprese që pret ndërrimin e turnit. Një protestë që nuk rritet, nuk përhapet, nuk infekton askënd. Një protestë që ka mbetur kioskë, jo lëvizje.
Në këtë “shesh” zbarkoi edhe Ermal Hasimja, për të shpallur ngritjen e forumit të ndryshimit të mosndryshimit. Sepse sipas tij, qëllimi është fisnik: të binden ata që nuk votojnë nga zhgënjimi i sistemit. Pra, të bindë të zhgënjyerit… me arkitektët e zhgënjimit.
Ironia këtu nuk ka nevojë për zbukurime. Forumi sillet rrotull një boshti që nuk lëviz, si një rrotë që nuk ecën përpara. Të gjithë rrotullohen rreth sistemit që gjoja duan të shembin, por që në fakt duan vetëm ta administrojnë. Një valle politike rreth “hunit”, ku protagonistët sillen e përdridhen me shpresën se dikush nga publiku do të hedhë ndonjë votë, siç hidhen lekët në tallavatë e synetlliqeve politike kur “deti bëhet kos” dhe turren të gjithë me lugën në brez.
Hasimja shfaqet si përbashkues i forcave opozitare, por le ta themi qartë: në këtë tryezë, fuqia reale është vetëm një – Partia Demokratike. Dhe Partia Demokratike, sot për sot, është Berisha. Të tjerët janë ose kioska politike, ose mikrobuza partiake që presin të kapen pas rimorkios së madhe duke pritur ti bien koqet dashit .
Këtu lind edhe pyetja që askush nuk guxon ta bëjë hapur:
Ku qëndron sot Ermal Hasimja përballë Sorosit?
Hasimja vjen nga rrethet e Open Society, nga Kosovo Foundation e financuar nga George Soros – një fakt publik dhe i pamohueshëm që vjen në Shqipëri me grupin e Argites që krijuan KOP-in. Më pas u bë këshilltar i Berishës, një lider që sot e ka ndërtuar identitetin e tij politik mbi një armiqësi të hapur dhe obsesive ndaj Sorosit. Si bashkëjetojnë këto dy botë në të njëjtën tryezë? A është Sorosi armik vetëm kur i duhet turmës, dhe mik kur i duhet CV-së?
Pastaj vjen kapitulli akademik: rektor në universitetin e Çilit, sot pronar i Universitetit “Ernest Koliqi” – një emër i madh kombëtar i përdorur si markë tregtare, nga “ tregëtar flamujsh” për t’u shitur në tregun e arsimit privat. Një tjetër shembull i mënyrës sesi simbolika kombëtare shndërrohet në mall, ndërsa morali në dekor. Kriza më e tmerrshme dhe me pasoja për tê ardhmen është arsimi. Hasimja do të ishte shumë më mirë të ngrinte një forum dhe diskutim kombëtar të gjërë për këtë. Por nuk mundet se i bie vetes, se siç këmi kioska politike, kemi dhe kioska universitare që ngrenê kioska akademike.
Nga ana tjetër, Adriatik Lapaj, që çdo ditë rreh gjoksin si “shpëtimtari” që do të “bëjë Shqipërinë”, shfaq të kundërtën e asaj që predikon. Pa konsistencë, pa koherencë, pa qëndrueshmëri. Protesta e tij dy mujore është prova më e qartë: shumë zhurmë mediatike, zero mobilizim shoqëror. Një lëvizje që nuk prodhon energji, por konsumon vëmendje.
Dhe tani, pasi e kanë shteruar rolin e “anti-sistemit”, këto parti po kthehen aty ku kanë qenë gjithmonë. Po ulen në të njëjtën tryezë, po lëpijnë atë që pështynë dje, po rehabilitojnë aleanca që i kishin shpallur të vdekura. Jo për të prishur sistemin – sepse atë e kanë ndërtuar vetë – por për t’u ricikluar brenda tij.
Në fund, del qartë se qëllimi i vërtetë nuk është ndryshimi, por përfshirja. Jo revolucioni, por negociata. Jo rrëzimi i sistemit, por kapja pas tij, si i mbyturi pas kashtës.
Ky forum nuk është forumi i shpresës.
Është forumi i hipokrizisë politike, ku ndryshimi shitet si slogan, ndërsa mosndryshimi praktikohet me përpikmëri
Në Shqipëri, problemi nuk është se nuk ka forume.
Problemi është se ka shumë forume për të mos ndryshuar asgjë.











