Këshilli i Ministrave ka miratuar kuadrin rregullator për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Mbështetjes së Projekteve, një organ i nivelit të lartë që do të menaxhojë shpërndarjen e fondeve të gjeneruara nga industria e lojërave të fatit. Ky vendim synon të kthejë një pjesë të të ardhurave të këtij sektori në investime konkrete për sportin, kulturën, inovacionin dhe mbrojtjen sociale.
Këshilli i ri do të ketë një përbërje të gjerë ndërministrore për të garantuar paanësi dhe diversitet në përzgjedhjen e fushave prioritare. Ai do të kryesohet nga Zëvendëskryeministri dhe do të ketë si anëtarë titullarët e ministrive të Financave, Sportit, Kulturës, Inovacionit dhe Çështjeve Sociale, së bashku me drejtuesin e Autoritetit të Qeverisjes Eletronike.
Kriteret për subjektet aplikuese
Për të shmangur abuzimet dhe për të siguruar që projektet të jenë profesionale, qeveria ka vendosur kritere rigoroze për aplikuesit.
“Subjektet duhet të kenë raporte të audituara pa opinione negative dhe të mos jenë në procese falimenti. Çdo projekt duhet të ketë të paktën 5 persona staf të dedikuar me përvojë të dokumentuar në fushën përkatëse. Aplikuesit duhet të vërtetojnë se nuk kanë borxhe tatimore apo gjoba të papaguara, si dhe kanë shlyer detyrimet ndaj punonjësve të tyre.”, thuhet në vendim.
Procesi i vlerësimit dhe transparenca
Projektet do të vlerësohen mbi bazën e parimeve të konkurrimit të barabartë dhe transparencës. Pikat kyçe të vlerësimit përfshijnë ndikimin social ku prioritet do t’u jepet projekteve që mbështesin grupet e cenueshme (fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara); fondet do të miratohen vetëm për projekte që nuk synojnë fitimin; projektet duhet të zbatohen ekskluzivisht në territorin e Shqipërisë dhe mund të zgjasin nga 1 deri në 3 vite.
Skema e shpërndarjes së fondeve
Për të garantuar monitorimin e performancës, financimi do të lëvrohet në tri faza të ndara, të kushtëzuara nga rezultatet. Faza e parë (20%) akordohet menjëherë pas nënshkrimit të kontratës; faza e dytë (50%) lëvrohet pas dorëzimit dhe miratimit të raportit të monitorimit të performances; faza e tretë (30%) shlyhet vetëm pas dorëzimit dhe miratimit të raportit final të projektit.
Çdo mospërmbushje e aktiviteteve të parashikuara në kontratë detyron subjektin fitues të kthejë financimin e akorduar në llogarinë e fondit të posaçëm.











