Nga Mustafa Nano
Aksioni politik më i fundit i Sali Berishës, me titullin “Foltorja”, ka tërhequr vëmendjen e shumëkujt, ka tërhequr vëmendjen – mbi të gjitha – për vetë ngarkesën politike që ka ngjarja. Por mua më ka tërhequr vëmendjen edhe për diçka tjetër. Është një dukuri që unë e konsideroj një dukuri të shëmtuar, që ka të bëjë me politikën shqiptare dhe që unë e kam denoncuar më shumë sesa një herë.
Çuditem pse të tjerë, që gjithashtu e vënë re, nuk e denoncojnë si dukuri. Ose të paktën ta trajtojnë. Ku e kam fjalën? Në takimin që Sali Berisha bëri në “Rogner” vura re se aty kishte kryesisht burra. Kishte ndonjë grua, tektuk, por ishin aq pak sa dukej sikur ishin aty sa për të larguar syrin e keq, mësyshjen.
Ishte një zonjë në krahun e djathtë të Berishës (dhe ajo është përgjegjëse e PR-it në këtë aksion politik të tij), ishin një duzinë grash në rreshtin e parë dhe tri a katër vajza pas shpinës së Berishës. Këto të fundit dukej që nuk kishin lidhje me vendin ku ishin, me mjedisin ku ndodheshin.
Së pari, sepse ishin të vogla, madje njëra m’u duk si minorene, e së dyti sepse këtë e tregonin shprehjet e fytyrave të tyre. Të krijohej përshtypja sikur ishte pajtuar një call center për të zgjedhur ca vajza me funksion dekorativ. Ato ishin të shpërqendruara, ishin të hutuara fare, më të hutuara sesa vajzat polineziane në pikturat e Gauguin-it.
Sali Berisha duhet të ketë qenë i vetëdijshëm se në takimin e tij në “Rogner” do të kishte kryesisht burra, sepse takimet e tij, në harkun e tridhjetë viteve, kanë qenë takime të natyrës burrërore. Prandaj, ai ka marrë masa që të kishte një prani minimale të grave. Por ky numër i vogël grash, që ishin ftuar aty për të feminilizuar pak mjedisin, luajti – të paktën për sytë e mi – efektin e kundërt.
Ato pak gra e theksonin edhe më shumë maskulinitetin e atij ambienti. Ishin ato pak gra që të çonin në mendje faktin se aty kishte kryesisht burra. Sikur të mos kishte gra fare, ndoshta as nuk do të na shkonte në mendje se gratë mungonin, ngaqë do ta merrnim si një gjë natyrale, si një tubim politik të Berishës.
Në Fier situata ishte edhe më skandaloze. Atje burrat nuk dukej si të ishin në një veprimtari publike, në një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian. Dukej sikur ishin në aeroportin e Kabulit, teksa amerikanët po linin Afganistanin dhe (nëse ju kujtohen pamjet) syri të shihte vetëm burra që kacavirreshin në një avion. Edhe burrat në Fier më dukeshin si burra që e shihnin Berishën si avion dhe synonin t’i kacavirreshin supeve.
Aty, në fakt, kishte vetëm disa vajza të reja pas shpinës së Berishës, të cilat, siç duket, do të jenë një element konstant në skenografinë e takimeve të Berishës. Edhe në Vlorë, ku është planifikuar takimi i radhës, jam i sigurt se do të jetë e njëjta gjë. Jam i sigurt se atje ka nisur konkursi për të rekrutuar katër vajza që do të kenë funksionin dekorativ prapa shpinës së liderit.
Në një fotografi që e kapte turmën e Fierit nga mbrapa, mua më kapi syri, sidoqoftë, kokën e një zonje. Ndoshta ka pasur më shumë se një, por mua më kapi syri vetëm një zonjë. Ajo m’u duk një personazh shumë interesant. Një grua në mes atyre burrave… çfarë përvoje unikale duhet të ketë qenë për të! Do të doja ta kisha në studio e të bisedoja se çfarë do të thotë të jesh e vetmja grua mes dyqind a treqind burrave.
E dini? Edhe në rapsoditë e kreshnikëve tanë, edhe në rapsoditë e Mujit dhe të Halilit, edhe aty ka gra. Janë motrat, nënat e personazheve. Pra, ka disa personazhe grash që vijnë rreth. E në një farë mënyre, ato rapsodi më duken më të populluara me gra, sesa tubimet e politikanëve shqiptarë. Më vjen t’u them: Hej miq! Jemi në vitin 2021. Kapërcejeni, dreqi ta hajë, këtë kulturë patriarkale të rapsodive të kreshnikëve!