Rexhinaldo Artur Faife është idhulli i ri në Gjirokastër. Sulmuesi i Kombëtares së Mozambikut po shkëlqen me fanellën e Luftëtarit këtë sezon, teksa në 12 ndeshje të luajtura deri më tani në Kategorinë Superiore ka arritur të shënojë 5 gola. Iu bashkua gjirokastritëve në merkaton e verës dhe shumë pak dihej për të.
Megjithatë, fakti që kishte luajtur në Superligën portugeze, një kampionat që renditet te ndër 10 më të fortit në Europë, nuk linte vend për dyshime. Por, si erdhi në Gjirokastër pas eksperiencës te Nacional dhe Santa Klara? Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 26-vjeçari nga Mozambiku rrëfen gjithçka. Nga drama familjare, te lojtari që e frymëzon dhe deri te problemi që pati në ditët e para në Gjirokastër.
Rexhinaldo, nga kampionati portugez në atë shqiptar. Si mbërritët te Luftëtari dhe cili ishte njeriu që u bë shkes për këtë transferim?
Menaxheri im Zuneid Sidat më telefonoi dhe më bëri të ditur se ka gjetur një skuadër të mirë në Shqipëri. Duke parë se ai është si një baba për mua, menjëherë i thashë “po”. Isha OK dhe gati për të provuar një eksperiencë të re. Në kohën që më erdhi kjo telefonatë, kisha edhe 2-3 oferta të tjera, por pas këshillave të menaxherit vendosa të pranoja aventurën me Luftëtarin.
Çfarë dinit për futbollin shqiptar?
Përpara se të vija këtu, nuk kisha parë asnjë ndeshje të kampionatit shqiptar. Por, menjëherë pas ofertës së Luftëtarit, fola me trajnerin e Kombëtares së Mozambikut, Abel Ksavier, i cili më bindi me ato që më tha për Shqipërinë.
Pse, çfarë ju tha?
Ai më tha që futbolli shqiptar është gjithnjë e në ngritje. Pranova ofertën dhe tani që jam këtu, i surprizuar për mirë. Ndoshta cilësia nuk është si ajo e kampionatit portugez, por gara është shumë e fortë. Këtu çdo ndeshje është shumë e luftuar dhe mua më pëlqen kjo.
Ju keni luajtur disa vite në elitën e futbollit portugez. Pse duhet të largoheshit nga një kampionat më i fortë drejt atij që është më i dobët?
E thashë edhe më lart, ishte thjesht një aventurë që më pëlqeu, falë edhe insistimit të menaxherit tim. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur.
Cilët janë lojtarët më të njohur për ju që keni luajtur deri më tani?
Dy lojtarë kam pasur të preferuar në Portugali: Zejnedin dhe Mishe. Janë të dy nga Mozambiku dhe kur shkova te Nacionali më ndihmuan, por tashmë edhe ata janë larguar nga Portugalia për në vende të tjera.
Cili është futbollisti që ju frymëzon?
Pa dyshim Kristiano Ronaldo. Është më i miri, jo vetëm se fitoi Ligën e Kampioneve dhe Europianin, por se është edhe shembulli i një futbollisti që punon shumë dhe synon të fitojë çdo ndeshje. Ai është një lojtar i përulur në punë dhe i motivuar. Pra, nëse punon fort mund të arrish lart. Në çdo ndeshje, nëse Ronaldo shënon një gol, kërkon me këmbëngulje të dytin dhe kjo e bën për mua lojtarin më të mirë në botë. Ky është dhe idhulli im.
Cilat janë përshtypjet tuaja për nivelin e futbollit shqiptar?
Këtu çdo skuadër ka lojtarë cilësorë dhe kërkon të fitojë çdo ndeshje. Janë pikërisht këto arsye që e bëjnë kampionatin shqiptar shumë të luftuar. Mendoj se kjo është një gjë e mirë për rritjen e nivelit.
Cili është roli juaj i preferuar?
Jam shumë i lumtur në rolin tim aktual. Te Luftëtari po luaj si sulmues qendre, por jam i gatshëm të aktivizohem në çdo rol që ka nevojë ekipi, sepse unë jam këtu për të ndihmuar skuadrën.
Na tregoni pak për jetën në Gjirokastër?
Kur erdha në fillim, mendoja se do të kisha probleme për shkak të ngjyrës, por jo, ishte e kundërta. Në Gjirokastër, njerëzit më mbështesin dhe unë jam i kënaqur që ndodhem këtu. Përditë më përshëndesin dhe ky fakt më lumturon. Jam shumë i kënaqur në çdo aspekt.
Cili është ushqimi juaj i preferuar?
Sa i përket ushqimit, mund t’ju zbuloj se në ditën e parë që kam ardhur në Shqipëri jam shtruar në spital për shkak të ndryshimit të tij. Nuk isha mësuar me këtë ushqim dhe ndoshta edhe klima ndikoi që të kisha probleme në ditët e para. Por, çdo gjë kaloi shpejt.
Tashmë pas disa muajsh në Gjirokastër, çfarë gatimi tradicional ju pëlqen më shumë?
Tashmë më pëlqejnë ushqimet shqiptare dhe s’kam asnjë problem, përkundrazi jam i kënaqur me mënyrën e të ushqyerit. Nuk dua të veçoj ndonjë asortiment, por në përgjithësi e pëlqej kuzhinën shqiptare.
Mund të na tregoni pak për familjen tuaj?
Nëna ime është tifozja ime numër një. Ajo çdo ditë më telefonon për të më pyetur nëse kam shkuar në stërvitje. Ajo është inspirimi im, sepse përpara çdo ndeshjeje flasim dhe më thotë që “do të shënosh patjetër”. Në familje kam tashmë një vëlla dhe dy motra, si dhe djalin tim. Babai më ka vdekur pas një sëmundje të rëndë. Drama më e madhe për mua ka qenë kur edhe vëllai im i madh ka vdekur si pasojë e një aksidenti. Për mua, familja është gjithçka. Më mungon shumë, është gjëja më e rëndësishme e jetës sime.
Keni shënuar pesë gola deri më tani. Duke parë nivelin e Kategorisë Superiore, mendoni se mund të jeni kandidat për “Këpucën e Artë?
Në këtë moment nuk e mendoj fare “Këpucën e Artë”. Në çdo ndeshje është e rëndësishme që ne të fitojmë. Nëse shënoj unë, është fantastike, por unë jam njësoj i lumtur edhe nëse golin e bën Bregu apo Abazaj. Ne jemi këtu për Luftëtarin dhe kjo skuadër është gjëja më e rëndësishme. Shpresoj që t’i kënaqim tifozët edhe të mërkurën.