Ami ka klas. Është e pamundur që kudo shfaqet mos të rrezatojë pak nga mirësia e saj. Kështu ka bërë edhe në intervistën dhënë për “Bluetooth”. Mikpritësja e “Dancing with the stars” tregon se sfidën e kërcimit po e shijon si eksperiencë, ashtu si vetëm një zonjë shtëpie di ta bëjë. Pranon të ndajë me lexuesit edhe momentet gazmore, apo edhe tensionet e minutave para shfaqjes. Sipas moderatores, këtë vit shpirti luftarak i konkurrentëve është edhe më i theksuar, por gjithnjë kjo në një ambient gazmor, me batutat e artistëve. Shumë komode është edhe përkrahë moderatorëve të rinj, megjithatë e ndjen mungesën e Ermalit në skenë. Mes angazhimeve të shumta, moderatorja gjen kohën të ndajë dashurinë për ekranin natyrisht duke mos humbur edhe nga momentet e çmuara me familjen.
Një tjetër sezon i suksesshëm tek “Dancing with the stars”, si po gjendet Ami këtë vit?
Si në shtëpinë time. Si gjithmonë shumë komode, jam përfshirë brenda formatit dhe e kam bërë timin “Dancing with the stars”.
Për dy vite me radhë keni ndryshuar partnerin në moderim, a ju mungon Ermali në Dancing?
Secili ka pasur stilin e tij. Djemtë që janë tani janë shumë “funny”, ndjehem mirë përkrahë tyre. Ermali patjetër që më mungon.
Si i shikoni konkurrentët e këtij viti, sa janë përfshirë në garë?
Konkurrentët janë shumë seriozë në punë. Ndryshe nga vitet e tjera, kasti këtë vit duket edhe më serioz. Janë më të përfshirë në punë, në prova. I gjithë fokusi i tyre është tek kërcimi, jo tek komentet apo vlerësimet, pra tek ana komerciale e spektaklit. E kanë marrë shumë me përgjegjshmëri dhe me këmbë në tokë. Kjo është fryma që ndjehet tek kasti.
A janë nervozë konkurrentët pas kuintave, krijojnë konflikte me njëritjetrin?
Këtë vit janë më të qetë se kurrë. Çuditërisht nuk ka skena nervozizmi. Emocion ka gjithmonë para shfaqjes, por është pozitive, Ndikon gjithmonë për mirë, sepse i vë në lëvizje, por skena apo debate nuk ka.
Çfarë nuk duket në shfaqje të enjten mbrëma?
Janë pikërisht këto nervozizmat e vogla para shfaqjes. Përgatitjet e fundit janë ato që nuk duken në ekran, detaje rreth veshjes, apo edhe grimit. Ka edhe shumë batuta, sepse ku ka artistë ka edhe batuta. Është një atmosferë e paqtë, ku secili është i qetë. Backstage është edhe pjesa e argëtimit real, sepse spektakli është disi më brenda kornizave.
Ndryshe nga vitet e shkuara, çfarë ka ndryshuar tek Dancing, po tek Ami?
“Dancing with the stars” është përsosur gjithnjë e më shumë si format. Edhe pse formula dhe patenta janë ndërkombëtare dhe nuk të lënë të devijosh shumë, është një formulë konçize. Dihet se çfarë ndodh, për çfarë bëhet e gjitha kjo, dihet se për çfarë synon një konkurrent, nuk është se është një spektakël sa për t’u argëtuar, ka garë, ka emocion dhe një çmim shumë të mirë. Gjithnjë e më shumë edhe artistët vijnë të përgatitur mirë, jo vetëm për të përfaqësuar veten e tyre, por edhe aftësitë e tyre në kërcim. Tek Ami ka ndryshuar siguria dhe zotërimi i skenës. Si e thashë edhe më sipër, ndjehem si zonjë shtëpie. Jam në çdo detaj të spektaklit, e kam pjesë timen tashmë. Nëse në fillim ka pasur përgjegjësi më të madhe, për menaxhimin e situatës, si do të shkojë puntata, tani jam në pikën që e shijoj Dancing.
A do ta provonte Ami sfidën e kërcimit si konkurrente?
Patjetër që e kam menduar, do të ishte bukur, do ishte shumë e lodhshme. Unë e di sesa impenjative është, prova çdo ditë. Mbi të gjitha për një femër do të ishte shumë mirë, sepse bën stërvitje të përditshme, tonifikohesh.
Kush mendoni se është më i famshëm Ermali apo ju?
Nuk do të thoja më i famshëm, sepse të dy jemi figura që vijojmë të jemi në korent me publikun, por ka të bëjë me popullaritetin e grupmoshave. Ermali ka një magnetizëm shumë të madh për moshat e reja, fëmijët e duan jashtë mase, nuk ka dalje tonën që mos ti afrohen, të duan të bëjnë një foto me të, apo ti rrëmbejnë edhe një batutë.
(Nga Enida Himaj)