Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, gjatë një interviste ekskluzive për Shqiptarja.com dhe Report TV, thekson se negociatat për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të çelen në gjysmën e parë të vitit 2018.
Sipas tij, nëse qeveria dhe Parlamenti vazhdojnë të bëjnë punën siç e kanë bërë deri më tani, nuk ka më asnjë argument kundër hapjes së negociatave. Fleckenstein pohon se çështja ‘Tahiri’ nuk ndikon në vendimmarrjen kryetarëve të qeverive të 27-28 vendeve të BE, për çeljen e negociatave, teksa shton se Brukseli nuk është prokurori dhe se nuk është në gjendje të gjykojë mbi çështje të veçanta.
I pyetur për mundësinë e vetos nga Greqia, Fleckenstein thotë se Greqia as duhet ta mendojë këtë gjë, pasi nuk do të ishte e ndershme. Sa i takon ndikimit rus në Ballkan, Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian pohon se BE shijon qartë se ka dhe lojtarë të tjerë në rajon si Rusia, Turqia dhe madje Arabia Saudite, gjithashtu dhe Kina. Kështu ne si BE duhet të shohim që s’jemi aktorët e vetëm.
I pyetur për kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për krijimin e një qeverie anti-mafia, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian e konsideron këtë kërkesë një lojë partish. Duke u ndalur tek kjo kërkesë, Fleckenstein tha se mund të fliste vetëm për çështje serioze, duke i dhënë një mesazh të fortë opozitës. Zyrtari i Brukselit tha gjithashtu se trafiku i drogës është një nga çështjet më serioze me të cilat përballet vendi, ndërsa shtoi se BE pret që autoritetet shqiptare ta luftojnë këtë fenomen. Ai tha se ka ende trafik drogë pavarësisht hapave të duhura që janë bërë për ta luftuar.
-Z. Knut Fleckenstein, trafiku i drogës është kthyer në kryefjalë të betejës politike të opozitës në Shqipëri. Cili është qëndrimi juaj për drogën?
Jam i sigurt që trafiku i drogës është një nga çështjet më serioze me të cilat përballet vendi, por ne presim që qeveria dhe zyrtarët e shtetit të bëjnë maksimumin për të zvogëluar fenomenin, jo vetëm për një çështje të caktuar, por në mënyrë substanciale.
-A mendoni se opozita ka të drejtë në akuzat e saj ndaj qeverisë?
Është e dukshme se ka ende trafik drogë pavarësisht se ne shohim hapat e duhura të bëra për ta luftuar, të paktën disa, tani duhet që të vazhdojnë këto përpjekje dhe unë shpresoj shumë që kjo do të ndodhë siç mendoj.
-Si e komentoni kërkesën e liderit opozitës për qeveri anti-mafia?
Unë nuk i komentoj të gjitha këto lojëra partish, unë flas vetëm për fakte serioze, se si e quan qeverinë opozita nuk më takon mua ta komentoj.
-Por cili është komenti juaj rreth çështjes Tahiri, besoj jeni njohur për ish-ministrin e Brendshëm i akuzuar për përfshirje në trafik narkotikësh?
I takon prokurorit nëse ka apo jo prova të mjaftueshme për Parlamentin për heqjen e imunitetit, nuk mund të flas për dokumentet që iu dorëzuan Parlamentit, por shpresoj që parlamenti është duke bërë atë që duhet. Nga njëra anë të mbrojë njerëzit që akuzohen pa prova të mjaftueshme dhe nga ana tjetër Parlamenti duhet të heqë imunitetin nëse ka prova të mjaftueshme dhe serioze për implikimin e tij. Pra prokurori duhet të bëjë punën e tij dhe se askush nuk duhet të mbrohet sepse është anëtar i Parlamentit. Kam dëgjuar se Parlamenti i ka hequr një pjesë të imunitetit, nuk mund të flas për detaje, por çështja kryesore është që prokurori të bëjë punën e vet.
-Me këtë klimë dhe situatë politike hapja e negociatave me Shqipërinë në 2018 është diçka e lehtë apo e vështirë?
Jo nuk duhet të jetë e vështirë, nëse Bashkimi Europian është i besueshëm dhe shpresoj vërtet që Komisioni të jetë i besueshëm atëherë ne duhet të hapim negociatat në gjysmën e parë të vitit 2018, sepse populli shqiptar e meriton dhe se qeveria dhe Parlamenti kanë bërë shumë për atë çfarë nevojitej.
-Duke mbetur në këtë argument, në Shqipëri ka nisur tashmë zbatimi i ligjit të Vetingut ku po merren në shqyrtim dosjet e para të prokuroreve dhe gjyqtarëve? A mjafton Vetingu për hapjen e negociatave?
Mos vallë kjo do të thotë që ju tani të ndaloni punën në Shqipëri? Natyrisht jo. Sigurisht ne presim nga qeveria dhe Parlamenti të vazhdojnë punën dhe nëse kjo ndodh nuk do të ketë asnjë argument kundër procesit për hapjen e negociatave në 6 mujorin e ardhshëm të 2018.
-A mendoni se çështja Tahiri përbën një problem për këtë proces?
Nuk mendoj kështu, nëse çdo kush bën punën e tij është në rregull. Ne nuk jemi prokurorë në Bruksel. Gjithashtu nuk jemi në gjendje të gjykojmë asnjë çështje të veçantë, por gjëja kryesore është. A është në gjendje prokuroria të bëjë punën e vet? Unë mendoj se është në gjendje.
-Populli shqiptar pret hapjen e negociatave vitin tjetër, ju thatë pak më parë, por më lejoni të këmbëngul a është e sigurt që do ndodhë vitin tjetër?
Fjalën e fundit e ka gjithnjë Këshilli, që do të thotë kryetarët e qeverive të 27-28 vendeve të BE, por Parlamenti Europian është mjaft i qartë. Nëse ju në Shqipëri, Parlamenti dhe Qeveria vazhdoni punën siç keni bërë më parë, nuk ka asnjë argument të vetëm për ne që të mos hapen negociatat.
-Çfarë kontributi mund të japë opozita për hapjen e negociatave?
Unë mendoj se ata mund të japin kontribut. Ata e kanë thënë qartë se janë në favor të hapjes së negociatave dhe ne nuk duhet t’i përziejmë gjërat. Është detyrë e opozitës që të jetë mjaft kritike ndaj qeverisë, por nuk është detyrë e opozitës që të krijojë një situatë sikur gjithë vendi është në rrezik dhe unë nuk shoh që opozita po e bën këtë. Unë shoh që opozita po bën punën e saj dhe nuk ka asgjë ku ajo mund të kontribuojë më tepër se sa integrimi. Ka disa reforma për të cilat ne presim dhe të gjitha palët duhet të jenë të përgatitur për të bërë kompromis, por kjo nuk i takon vetëm opozitës, pasi sigurisht i takon dhe shumicës. Të dyja palët duhet të përpiqen për negociatat dhe në pikëpamjen time të dyja palët këtë po bëjnë.
– A ka vende të BE që mund të pengojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë, për shembull Greqia që vazhdon t’i bëjë presion Shqipërisë për marrëveshjen e kufirit detar?
Unë shpresoj vërtet që Greqia as duhet ta mendojë këtë gjë, pasi nuk do të ishte e ndershme. Dhe ne nuk po flasim për përmbylljen e negociatave, por për fillimin e negociatave. Këto probleme duhet të zgjidhen gjatë kësaj periudhe dhe kjo do të ishte e mundur. Duhet t’ju kujtoj se edhe brenda Bashkimit Europian ka vende si Kroacia që ka probleme me Slloveninë për kufirin. Nuk dua të them që zgjidhja e këtij problemi nuk është e nevojshme madje duhet të ishte zgjidhur më parë, por jo para hapjes së negociatave. Ka mjaft kohë për ta zgjidhur këtë çështje.
-Kryeministri Edi Rama ka pohuar disa muaj më parë se nëse BE vijon t’i mbyllë dyert zgjerimit, Shqipëria mund të marrë në konsideratë mundësinë e bashkimit me Kosovën, Cili është komenti juaj?
Është e mrekullueshme që BE nuk po e konsideron mbylljen e zgjerimit, kështu që kryeministri mund të përqendrohet tek reformat dhe të mirat për vendin dhe populli. Nuk ka nevojë të mendojë për një të ardhme teorike që nuk do të ndodhë.
-Përgjigje e këndshme z. Fleckenstein por z. Junker kur erdhi në krye të Komisionit Europian deklaroi se do të ndalonte procesin e zgjerimit të paktën deri në 2019? A duhet të ndryshojë kjo qasje për vendet e Ballkanit Perëndimor?
Ky është një diskutim i tre viteve më parë, ju keni të drejtë, në pikëpamjen time ajo ishte një qasje jo konstruktive dhe madje pak budallaqe sepse çdo njëri e dinte që ka shumë për të bërë për aderimin dhe se nuk mund të arrihej për 4 apo 5 vite. Por ju lutem nga njëra anë ne së bashku me Frederika Mogherinin dhe të tjerët e kemi theksuar gjithmonë shumë qartë që kjo s’do të thotë se ne nuk duhet të vazhdojmë në rrugën tonë të përbashkët . Së dyti president Juncker lajmëroi një strategji për vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk duhet të përfshijë vetëm dy vendet Serbinë dhe Malin dhe Zi, por të gjithë rajonin. Ne në parlamentin Europian me të gjitha palët do të kujdesemi që Shqipëria të trajtohet në mënyrë adekuate dhe të mirë në këtë strategji.
-SHBA ka ngritur shqetësimin e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor? A shqetësohet BE për rrezikun rus dhe fare zgjidhje ofron për të mos e lënë rajonin në duart e Moskës?
Ne shohim mjaft qartë se ka dhe lojtarë të tjerë në rajon si Rusia, Turqia dhe madje Arabia Saudite, gjithashtu dhe Kina. Kështu ne si BE duhet të shohim që s’jemi aktorët e vetëm. Nga ana tjetër ne duhet të kuptojmë se nuk jemi në një kontekst të favorshëm. Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor duan t’i bashkohen BE duhet të ndodhin dy gjëra. Fillimisht duhet të kryhen reformat dhe nuk ka dyshim për këtë. Dhe nga ana tjetër duhet që ne vendet e BE të tregojmë më qartë dhe më hapur se i dëshirojmë vërtet të 6 vendet e rajonit në unionin tonë. Kjo është diçka për të cilën duhet të mendojmë.
Është shumë e rëndësishme që të mbështesim nëpërmjet konsultave qeveritë dhe parlamentet për të bërë punën e tyre, në mënyrë që këto institucione të kenë njohuri rreth asaj që po ndodh në vendet tona. Nga ana tjetër ne duhet të tregojmë se duam anëtarësimin e këtyre vendeve dhe për këtë arsye jam në favor të një hapi tjetër, për shembull përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në bashkësinë tonë. Kjo do të ishte pozitive për të rinjtë dhe për biznesmenët dhe do të tregonte se nuk kemi të bëjmë thjesht me instrumente burokratikë dhe humbje kohe, por për diçka të suksesshme për popujt. Për këtë arsye BE duhet të jetë më e pranishme seç është tani.
-Pyetja e fundit, A mendoni se duhet të ketë një datë për anëtarësimin e gjithë rajonit?
Do të ishte shumë e bukur nëse do të kishim një datë, por data mund të përcaktohet nga Parlamentet dhe qeveritë e vendeve të rajonit. Kur të gjitha reformat të jenë kryer data është aty. Nuk do të kishte sens të theksonim se në fund të 2022 do të ndodhte zgjerimi, procesi do të ndodhë kur të përmbushen kriteret e Kopenhagenit dhe deri atëherë ne duhet të jemi të ndjeshëm dhe ndihmues për këto vende.
-Faleminderit z. Fleckenstein për intervistën e dhënë për Report Tv…
Faleminderit juve dhe gjithë të mirat për Shqipërinë.
Çështja Tahiri
“Nuk mendoj kështu, nëse çdo kush bën punën e tij është në rregull. Ne nuk jemi prokurorë në Bruksel. Gjithashtu nuk jemi në gjendje të gjykojmë asnjë çështje të veçantë, por gjëja kryesore është”. A është në gjendje prokuroria të bëjë punën e vet? Unë mendoj se është në gjendje”.
Negociatat
“Jo nuk duhet të jetë e vështirë, nëse Bashkimi Europian është i besueshëm dhe shpresoj vërtet që Komisioni të jetë i besueshëm atëherë ne duhet të hapim negociatat në gjysmën e parë të vitit 2018, sepse populli shqiptar e meriton dhe se qeveria dhe Parlamenti kanë bërë shumë për atë çfarë nevojitej”.
Qeveria anti-mafie
“Unë nuk i komentoj të gjitha këto lojëra partish, unë flas vetëm për fakte serioze, se si e quan qeverinë opozita nuk më takon mua ta komentoj”.
Mesazhi për Greqinë
“Unë shpresoj vërtet që Greqia as duhet ta mendojë këtë gjë, pasi nuk do të ishte e ndershme. Dhe ne nuk po flasim për përmbylljen e negociatave, por për fillimin e negociatave. Këto probleme duhet të zgjidhen gjatë kësaj periudhe dhe kjo do të ishte e mundur”.
PE ‘ok’ për Shqipërinë, vendimi në dorë të Këshillit të Ministrave
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian vendosi në fund të vitit të kaluar të mos kishte një raport progresi për vitin 2017 për vendet kandidate nisur dhe nga fakti që ai do ishte një vit elektoral për shumë vende evropiane. Ky vendim bllokoi edhe vendimmarrjen për Shqipërinë. Megjithatë, vendet e BE kishin lënë një dritare të hapur nëse kandidatët realizonin agjendat e tyre. Për Shqipërinë, reforma në drejtësi dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme ishin kryesore. Zgjedhjet u konsideruan një test i kaluar me sukses, ndërsa për reformën BE kërkoi zbatimin e saj. Më konkretisht, krijimin e një historiku me hetime, arrestime dhe dënime për peshqve të mëdhenj të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Krahas kësaj kërkese, Brukseli e ktheu vëmendjen edhe tek hashashi. BE kërkon zvogëlimin e këtij fenomeni. Por në horizont po shfaqet edhe problemi me Greqinë.
Kjo e fundit ka paralajmëruar mundësinë e bllokimit të negociatave pas prishjes së banesave në Himarë, moszgjidhjen e çështjes së detit dhe disa çështje të tjera të kahershme. Megjithatë, Parlamenti Evropian i ka rekomanduar Këshillit të Ministrave të Vendeve të BE çeljen e negociatave për Shqipërinë që në nëntor të vitit 2016. “Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm dhe KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por mbetet për t’u zbatuar reforma në drejtësi, ose Vettingu apo i njohur si ligji për vlerësimin e prokurorëve e gjyqtarëve“, thuhet në raportin e Parlamentit Evropian. Tashmë vendimmarrja është në dorën e Këshillit të Ministrave.
http://shqiptarja.com/home/1/fleckenstein-negociatat-n–6-mujorin-e-par–2018-ekskluzive-455662.html?pos_1